Real mposht Getafen, merr pozitën e dytë

  • A.P /
  • 09 February 2021 - 23:00
Real mposht Getafen, merr pozitën e dytë

Real Madridi e ka mposhtur Getafen me rezultat 2-0 për ta marrë vendin e dytë në La Liga dhe zvogëluar epërsinë në 5 pikë me Atletico Madridin që është në vendin e parë. Benzema dhe Mendy ishin realizatorët e golave në këtë ndeshje

Real Madridi nuk ka dështuar sonte në Alfredo di Stefano duke mposhtur Getafen dhe vazhduar me fitore në La Liga.

Qysh në fillim të pjesës së parë Real Madridi u tregua i rrezikshëm ku rrezikoi portën e Getafës në minutën e 5-të me anë të Casemiros i cili nuk shfrytëzojë si duhet një top të kthyer nga portieri dhe goditja e tij përfundon mbi shtyllën pingule.

Karim Benzema do ta godiste shtyllën në minutën e 14-të të ndeshjes, ku ai goditi me kokë topin pas rivënies nga këndi të Asensios.

Në pjesën e parë Real Madridi rrezikoi edhe njëherë në minutën e 37-të ku Modric bëri një goditje të fuqishme të cilën e priti Soria.

Me rezultat 0-0 përfundoi pjesa e parë.

Benzema do ta rrezikonte përsëri Sorian me të filluar pjesa e dytë por që portieri i Getafes do ta ndalte goditjen e tij.

Goli për Real Madridin erdhi në minutën e 60-të. Vinicious Junior bëri një pasim perfekt për Karim Benzema ku ky i fundit i pa penguar shënon me kokë një gol të bukur.

Pas shtatë minutave, Real Madridi do të shënonte përsëri.

Calvo bëri një kros të mrekullueshëm ku në zonë gjeti Mendy derisa ky pasi bëri një pranim maestral të topit, e goditi atë duke shënuar gol në minutën e 67-të.

Pas golit të dytë, Real Madridi kontrollonte ndeshjen kurse Getafe nuk pati asnjë mundësi për shënim që s’paku ta hapte këtë takim.

Kjo fitore ngrit në 46 pikë dhe në vendin e dytë Real Madridin, pesë më pak se lideri Atletico Madrid.

Kujtojmë se Atletico ka dy ndeshje më pak të zhvilluara. 


(Kosova Sot Online)