Interi lider i ri i Serie A, pas fitores kundër Lazios

  • A.P /
  • 14 February 2021 - 23:53
Interi lider i ri i Serie A, pas fitores kundër Lazios

Interi e ka mundur Lazion 3:1 për ta marrë kreun e Serie A nga rivali dhe lideri i deritanishëm, Milan, një javë para derbit të Milanos që pritet të jetë vendimtar në garën për titull.

Romelu Lukaku shkëlqeu me dy gola dhe një asist për Lautaro Martinezin për t’ia siguruar një fitore të madhe Interit, ndërkohë që Gonzalo Escalante ishte i pamjaftueshëm për Lazion të dielën në San Siro, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Lukaku e arrin shifrën e 300 golave në karrierë

Skuadra e Antonio Contes u fut në këtë takim duke e ditur se rivalët e saj kryesorë për titull Milan dhe Juventus u mposhtën të shtunën nga Spezia dhe Napoli, përkatësisht.

Zikaltrit u kujdesen që ta shfrytëzojnë në maksimum lëshimin e Milanit dhe kaluan në epërsi pas vetëm 22 minutave lojë, kur Lukaku shënoi nga penalltia.

Sulmuesi belg e dyfishoi epërsinë e zikaltërve në minutën e fundit të pjesës së parë.

Escalante e ktheu Lazion në lojë duke e devijuar në rrjetën e Samir Handanovicit goditjen e Sergej Milinkovic-Savic.

Por shpresat skuadrës së Simone Inzaghit ia shoi Martinez vetëm tre minuta më vonë, kur shënoi në portën boshe pasi u shërbye nga Lukaku.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Vedat Muriqi luajti 20 minuta, por dështoi të lërë gjurmë në lojën e kryeqytetasve.

Interi tani është lider i Serie A me 50 pikë pas 22 ndeshjeve, një më shumë se Milani, shtatë më shumë se Roma dhe tetë më shumë se Juventusi. Kjo e fundit e ka një ndeshje në dispozicion për ta luajtur.

Lazio, e cila i kishte fituar shtatë ndeshje e fundit para këtij takimi, ngel në pozitën e shtatë me 40 pikë. 


(Kosova Sot Online)