Interi e shkel Milanin në derbin për titull dhe konfirmohet si lider i Serie A

  • A.P /
  • 21 February 2021 - 17:20
Interi e shkel Milanin në derbin për titull dhe konfirmohet si lider i Serie A

Interi e ka dërrmuar Milanin 3:0 në një duel të rrallë të drejtpërdrejt për titull në Serie A mes dy rivalëve të qytetit, duke e krijuar një epërsi prej katër pikëve ndaj kuqezinjve në krye të tabelës.

Lautaro Martinez dy herë dhe Romelu Lukaku një herë shënuan për ta konkretizuar mbizotërimin e zikaltërve ndaj rivalëve në San Siro, të dielën,

Interi vijon të jetë lider i Serie A tani me 53 pikë pas 23 ndeshjeve, katër më shumë se Milani dhe 11 më shumë se Juventusi. Ky i fundit i ka zhvilluar dy ndeshje më pak, megjithatë.

Se Milani do ta pësonte humbjen e tretë në pesë ndeshjet e fundit në ligë u pa herët, kur Martinez e kaloi Interin në epërsi. Argjentinasi shënoi me kokë pas një harkimi brilant të Lukakut.

Skuadra e Antonio Contes e mbizotëroi atë të Stefano Piolit në 40 minutat e parë, por i lejoi kuqezinjtë të rrezikojnë në çastet e fundit, me Theo Hernandez që për pak nuk shënoi kur goditja e tij e plogësht e kishte mposhtur Samir Handanovicin por përfundoi prapë shtyllës së poshtme.

Milani u fut vrullshëm në pjesën e dytë pastaj, por iu mohua goli nga portieri slloven i cili i bër tri pritje të papara. Së pari, kapiteni zikaltër e mbrojti një goditje të fuqishme të Zlatan Ibrahimovic me kokë, para se t’ia mohonte golin Luca Tonalit.

36-vjeçari ishte i mrekullueshëm edhe pak çaste më vonë kur e priti një goditje tjetër të fortë nga Ibrahimovic në shtyllën e parë.

Këtu edhe ndryshoi momentumi i ndeshjes, sepse Interi doli në një kundërsulm të shpejt pas pritjeve të sllovenit dhe e konkretizoi një superaksion me gol të shënuar nga Martinez, i cili e futi topin në portën pothuajse boshe pas një asisti nga Ivan Perisic në minutën e 57-të.

Rreth dhjetë minua më vonë, Lukaku ia dha shkelim e fundit Milanit duke shënuar një gol mahnitës individual për 3:0.

Në vazhdim, përpjekjet e Milanit ishin të kota dhe pa fryt, me Interin që fitoi siguri në mbrojtje dhe në lojë.

Javën e ardhshme, Interi e pret Genoan, ndërsa Milani e viziton Romën. /