Ballkani e Drita luajnë për kreun, Munishi debuton me Gjilanin

  • A.P /
  • 14 March 2021 - 11:57
Ballkani e Drita luajnë për kreun, Munishi debuton me Gjilanin

Ballkani do të përballet sot me Dritën në Suharekë, në një ndeshje direkte për kreun e tabelës në Superligë, ndërkohë që Ismet Munishi do ta nisë periudhën e tij në krye të Gjilanit kundër Trepçës ’89.

Ndërkohë, Drenica e pret Arbërinë në Skenderaj sot në tri ndeshjet e mbetura të javës së 25 në Superligë.

Ballkani i pret kampionen në fuqi dhe lideren në Stadiumin e Qytetit në Suharekë në orën 13:30, i vetëdijshëm se me një fitore do ta marrë nga ajo kreun e Superligës në një ngarë të nxehtë trifronteshe këtë sezon.

Pas dy humbjeve radhazi tronditëse, Drita e mori veten duke i fituar tri ndeshjet e fundit, përfshirë kundër Feronikelit dhe rivalit Gjilani, dhe tani prin me 53 pikë, dy më shumë se Ballkani dhe tri më shumë se Prishtina.

Ismet Munishi, i cili të premten u emërua trajner i Gjilanit në vend të të larguarit Bylbyl Sokoli, do të rikthehet në Superligë tre muaj pasi e humbi punën në skuadrën e Ballkanit.

Ai do të debutojë në stolin e Gjilanit kundër Trepçës ’89 në Stadiumin e Qytetit në Gjilan në orën 13:00.

Munishin e pret punë e madhe me kuqebardhët, të cilët nuk kanë fituar në ligë që gjashtë ndeshje dhe janë pa fitore në vitin 2021.

Në ndeshjet e fundit të javës së 25, Drenica përballet me Arbërinë në orën 13:00, në një duel të rëndësishëm për skuadrat që luftojnë për mbijetesë në elitë.


(Kosova Sot Online)