“Mund ta befasojmë Suedinë, por nëse Ibrahimovic është në ditën e tij, kujdes!”
Herolind Shala beson se Kosova mund ta befasojë Suedinë dhe të nis me fitore eliminatorët për Botëroin 2022.
Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Herolind Shala, do t’i mungojë ‘Dardanëve’ për duelet kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” kundër Suedisë dhe Spanjës.
Arsyeja e mungesës së tij qëndron tek fakti se Shala ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Ai tash e disa ditë është i prekur nga ky virus, por dita-ditës po e rimerr veten.
Ai ka folur për FFK-në për ndeshjet që Kosova do t’i zhvillojë pas pak ditësh, e në të cilat ai fatkeqësisht s’do të mund të jetë.
“Jam i vetëdijshëm se kemi përballë dy kombëtare të mëdha, por mund t’i dalim. Suedinë e njoh shumë mirë dhe ka cilësi të mëdha, por mund ta befasojmë. Do të ishte ndjenjë e shkëlqyeshme sikur ta nisim këtë fushatë kualifikuese me 3 pikë. Prania e Zlatan Ibrahimovicit te Suedia? Varet në çfarë dite është. Nëse është në ditën e tij më të mirë, atëherë pa dyshim se do të ketë më shumë telashe reparti ynë i mbrojtjes, por mund të jetë edhe përparësi për ne, ngase me praninë e tij në fushë loja e suedezëve mund të përqendrohet krejtësisht tek ai dhe kjo do t’i jepte më shumë mundësi ekipit tonë. Ndërkaq, përballja me Spanjën do të jetë edhe më e vështirë, por mendoj se kemi shumë cilësi në ekip për të befasuar edhe kombëtare të tilla dhe këtë e kemi dëshmuar në të kaluarën. Unë kam besim te bashkëlojtarët e mi dhe u jap kurajë që të japin më të mirën e tyre”, u shpreh Shala.
Pa marrë parasysh mungesën e tij në Kombëtare, ai beson se secili lojtar që e veshë fanellën e Dardanëve e meriton atë dhe e jep maksimumin.
“Në ekipin kombëtar të Kosovës jemi si familje – kur mungon një lojtar është tjetri që e zëvendëson me dinjitet. Normalisht që ndjehem keq që nuk do të jem aty për ta ndihmuar ekipin, por e di që të gjithë do të japin gjithçka nga vetja dhe secili që e veshë fanellën dardane ndjehet krenar”, ka nënvizuar Shala.
Shala foli edhe për karrierën e tij.
Ai në fillim të këtij muaji u transferua te skuadra norvegjeze, Stabaek, por përhapja e madhe e koronavirusit ka ndikuar edhe në vetë punën e klubit.
“Kam nënshkruar kontratë njëvjeçare me klubin Stabaek, i cili ka objektiva të mëdha për të siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane. Por, fati deshi që tani i gjithë ekipi është në karantinë apo thënë më mirë në izolim total. Po ashtu, edhe autoritetet e vendit kanë vendosur masa më të rrepta anti-Covid dhe si rrjedhojë edhe kampionati është shtyrë deri më 2 maj”, shtoi mes tjerash Shala.
(Kosova Sot Online)
