Ramadani pas fitores ndaj Ballkanit: Prishtinën e presin edhe 9 finale

  • A.P /
  • 04 April 2021 - 18:14
Ramadani pas fitores ndaj Ballkanit: Prishtinën e presin edhe 9 finale

Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, i ka cilësuar si finale nëntë ndeshjet e mbetura të skuadrës së tij në një garë të ashpër për titull me Dritën dhe Ballkanin në Superligë.

Prishtina mundi 1:0 Ballkanin falë një autogoli të ish-mbrojtësit të vet Armend Thaqi të dielën, duke e ndezur edhe më shumë garën trifrontëshe për titull në Superligë këtë sezon.

Thaqi, i cili u rrit në mbrojtësin më të mirë të krahut të djathtë duke luajtur për Prishtinën para se t’i bashkohej Ballkanit në verën e kaluar, shënoi në portën e vet në pjesën e parë në Suharekë, duke e vendosur fatin e derbit të javës së 27-të në dëm të skuadrës së vet,

Bardhekaltrit po vinte nga një humbje dhe një barazim në dy ndeshjet e fundit, prandaj fitorja kundër rivalit të drejtpërdrejt për titull ishte mbase treni i fundit për të mbetur në garë.

Ramadani tha pas ndeshjes se fitorja ndaj Ballkanit ishte dëshmi se humbja e Prishtinës kundër Gjilanit ishte vetëm një ditë e keqe dhe mungesë fati.

“Ajo ndeshje ndaj Gjilanit tregoi se ishte vetëm një ditë e keqe dhe nuk ishte fati në anën tonë. E nisëm mirë, fituam Superkupën dhe tani jemi edhe në garë për Kupën e Kosovës. Janë nëntë finale për ne, por edhe për Dritën edhe Ballkanin dhe shpresojmë që në fund të dalim mirë”, tha Ramadani.

Ai shtoi: “Ishim përgatitur për një derbi të vërtetë, për një luftë sportive në mesfushë dhe e arritëm qëllimin. I thash futbollistëve se duhet të luftojmë të shënojmë një gol për barazim apo fitore dhe doli që ai autogol të jetë vendimtar për fitoren”. 


(Kosova Sot Online)