KOK nënshkroi kontratat me 24 bursistë “Shpresa Olimpike 2021” dhe dy bursistë olimpikë “Tokio 2020”

  • S.A /
  • 08 April 2021 - 16:25
KOK nënshkroi kontratat me 24 bursistë “Shpresa Olimpike 2021” dhe dy bursistë olimpikë “Tokio 2020”

Komiteti Olimpik i Kosovës ka nënshkruar kontratat me 24 bursistët e rinj “Shpresa Olimpike 2021”, të cilët do të marrin bursa nga Komiteti Olimpik i Kosovës, si dhe dy bursistë olimpikë për Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Të pranishëm në ceremoninë e mbajtur në Hotel Sirius, ishin drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, kurse nga afër ceremoninë e përcollën edhe nënpresidentët Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi. Presidenti Krasniqi theksoi se përkrahja e sportistëve të federatave të ndryshme po bëhet pas  vendimit të marrë  në muajin shkurt nga Bordi i kaluar Ekzekutiv i KOK-ut, derisa theksoi se bursat do të ngriten edhe më shumë si për bursistët olimpikë, ashtu edhe për bursistët “Shpresa Olimpike.“Ky është qëllimi ynë, të punojmë dhe të përkrahim sa më shumë sportistët, në mënyrë që ata të kenë vullnetin për të punuar dhe për të sjellë sa më shumë suksese”, deklaroi Krasniqi.

Sekretari i përgjithshëm, Haxhijaj, foli më në detaje për përkrahjen e KOK-ut për sportistët, duke kujtuar përkrahjen e KOK-ut për 23 bursistët olimpikë për Lojërat Olimpike Tokio 2020 dhe Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022.

“Vitin e kaluar kishim 10 bursa për Shpresa Olimpike, kurse nga viti në vit KOK po e rrit numrin e bursave dhe mbështetjen financiare. Vitin e kaluar bursa për Shpresa Olimpike ishte 100 euro në muaj, kurse këtë vit është kategorizuar në tri kategori dhe bazuar në rezultatet e tyre, kategoria e parë do t’i ketë 150 euro në muaj, e dyta 125 euro në muaj, ndërsa e treta 100 euro. Risi është edhe përfshirja e sportistëve të sporteve ekipore”, tha Haxhijaj, duke përmendur edhe mbështetjen e bursistëve olimpikë për përgatitje nëpër kampe të ndryshme.

Bursistëve olimpikë, karateistit Elhami Shabani dhe notarit Arti Krasniqi i janë ngritur bursat olimpike prej 100 euro në muaj në 250 euro në muaj, rritjet kjo që vlen prej janarit të vitit 2021.

 “E kam merituar edhe më herët të jem bursist olimpik. Shuma që kam marrë më herët dhe kjo e tashmja nuk janë të mjaftueshme për një bursist olimpik, sidoqoftë unë ju falënderoj dhe do të vazhdoj të punojë për ta fituar normën olimpike”, tha mes tjerash Shabani.

24 bursistët e rinj “Shpresa Olimpike 2021” të moshës 15-21 vjeç vijnë nga 16 federata olimpike.

Skitarja Kiana Kryeziu dhe futbollistja Albulena Guri, duke falënderuar KOK-un dhe federatat respektive, theksuan se bursa do të jetë motiv shtesë për punë dhe suksese të mëtejshme.

Kontrata u nënshkruan edhe nga trajnerët e tyre dhe përfaqësuesit e federatave.

Sportistë që iu është ngritur Bursa Olimpike Tokio 2020

Elhami Shabani (karate) nga 100 Euro në 250 Euro

Arti Krasniqi (not) nga 100 Euro në 250 Euro

Sportistët që do të përfitojnë bursa si “Shpresa Olimpike 2021” nga KOK-u

Vlera 150 Euro në muaj

1.    Eda Zeqiri (not)

2.    Vesa Ibrahimi (karate)

3.    Arbër Kullashi (xhudo)                                          

4.    Bashkim Bajoku (boks)

5.    Yllka Jashari & Melirona Avdullahi (volejboll) nga 75 Euro  

7.    Kiana Kryeziu (skitari)

125 Euro në muaj

8.    Albina Deliu (atletikë)

9.    Fresk Sylhasi (tenis)

10.Olt Kondirolli (not)

11. Bleonit Bytyqi (mundje)

12. Blerton Nuha (çiklizëm)

13. Kreshnik Mahmuti (pingpong)

100 Euro në muaj

14. Albulena Guri (futboll)

15. Astera Tuhina (basketboll)

16. Betim Idrizi (hendboll)

17. Arbnor Berisha (shenjëtari sportive)

18. Shega Hasani (pingpong)

19. Bleor Ivanja (triathlon)

20. Auron Syla (mundje)

21. Edonit Telaku (shenjëtari sportive)

22. Lirije Peci (triatlon)

23. Elvis Çitaku (gjimnastikë)

24. Valëza Rama (gjimnastikë)

(Kosova Sot Online )