Interi e mposht Veronën, Juventusi ndalet nga Fiorentina
Interi e ka bërë një hap më afër titullit të parë në Serie A pas rreth një dekade, pasi e mundi Hellas Veronën 1:0, ndërkohë që rivali i tij Juventusi u ndal nga Fiorentina me një barazim 1:1.
Matteo Darmian e shënoi golin e vetëm dhe të tri pikëve për skuadrën e Antonio Contes në Giuseppe Meazza të dielën, ndaj një Verone kokëfortë.
Kjo fitore nënkupton se Interi tani ka krijuar një epërsi prej 13 pikëve ndaj Milanit, i cili e ka një ndeshje më pak të zhvilluar, dhe po aq ndaj Juventusit në vendin e tretë.
Zikaltrit vuajtën shumë për ta thyer akullin, në mënyrë që ta arrinin fitoren që i afron edhe më afër titullit.
Skuadra e Contes krijoi më shumë dhe ishte pranë golit të epërsisë kur Achraf Hakimi e goditi shtyllën nga gjuajtja e lirë.
Pak minuta pas asaj mundësie, Darmian, i ardhur nga stoli, shënoi në një kundërsulm të shpejtë të zikaltërve në minutën e 76-të. Ai e mposhti portierin me një goditje qendrore pasi u shërbye nga Alexis Sanchez në zonë.
Verona e mori lojën në dorë nga ky çast dhe rrezikoi disa herë, por ka qenë në gjendje ta mposhtë Samir Handanovicin.
Ndërkohë, Alvaro Morata e shpëtoi Juventusin nga një humbje tjetër, kur e shënoi golin e barazimit në minutën e parë të pjesës së dytë, pasi Vlahovic e kishte kaluar Fiorën në epërsi nga penalltia në fillim të pjesës së parë.
Nëse Atalanta dhe Napoli i fitojnë ndeshjet e tyre përkatëse këtë fundjavë, atëherë Juventusi do të bjerë në vendin e pestë në renditje.
(Kosova Sot Online)
