Patrick Vieira emërohet trajner i klubit të Premierligës

  • A.P /
  • 04 July 2021 - 14:42
Patrick Vieira emërohet trajner i klubit të Premierligës

Crystal Palace ka njoftuar se e ka emëruar Patrick Vieiran si trajner të ri të klubit, në një marrëveshje trivjeçare që do ta mbajë francezin në Selhurst Park deri më 2024.

Legjenda e Arsenalit, i cili ishte trajner i Nice para se të shkarkohej në dhjetor të vitit të kaluar, do ta zëvendësojë Roy Hodgsonin në karrigen e nxehtë në Londrën jugore.

45-vjeçari, i cili e nisi karrierën e trajnerit me New York City në MLS, do të jetë trajner në Premierligë për herë të parë.

Premierliga është vendi ku ai bëri emër dhe famë si njëri prej mesfushorëve më të mirë gjatë një dekade në Arsenal.

“Jam i ngazëllyer që e kam mundësinë për t’u kthyer në Premierligë dhe ta drejtoj këtë klub futbolli, duke e filluar një kapitull së bashku”, tha Vieira.


(Kosova Sot Online)