“Pse po kthehesh te një klub që nuk të çmoi? Për para?” – Cassano e godet Lukakun

  • S.A /
  • 05 August 2021 - 10:02
“Pse po kthehesh te një klub që nuk të çmoi? Për para?” – Cassano e godet Lukakun

Ish-sulmuesi italian Antonio Cassano e ka goditur Romelu Lukakun, i cili është buzë largimit nga Interi për t’iu ribashkuar Chelseat, duke thënë se nuk e kupton përse një futbollist do të kthehej te një klub ku nuk ishte vlerësuar më parë.

Raportohet se Lukaku i ka kërkuar Interit ta pranojë ofertën e Chelseat prej 130 milionë eurove, pasi zikaltrit e kishin refuzuar një ofertë fillestare prej 100 milionë eurove plus kartonin e Marcos Alonsos.

 

Në Chelsea sulmuesi belg do t’i fitonte rreth 15 milionë euro në vit, dyfish më shumë se paga që e merr në Inter.

Kthimi i tij në Chelsea është çështje orës nëse jo ditësh, pasi Interi është i kënaqur me ofertën e londinezëve, por Cassano nuk është i mahnitur aspak.

“Nëse ata po ofrojnë kaq shumë para vërtet, unë do ta dërgoja atë atje personalisht”, tha Cassano, një tifoz i njohur i Interit.

“Por dua ta kuptoj se çfarë po ndodh këtu. Ai i kishte dy përvoja shumë të këqija në Angli, një të mirë me Evertonin, edhe prapëseprapë ai dëshiron të kthehet atje”, theksoi ai.

Ish-sulmuesi i Interit shtoi: “Më duhet ta pyes veten, pse duhet të shkosh në një klub i cili nuk të vlerësoi? A është për paratë?”

Lukaku formën e jetës e gjeti në Itali me Interin, të cilit sezonin e kaluar i ndihmoi ta fitojë titullin e parë në Serie A që prej vitit 2010.

Chelsea e kishte blerë Lukakun nga Anderlechti më 2011 për 15 milionë euro, pastaj e kishte huazuar në West Brom para se ta shiste në Everton për 40 milionë euro.

Më 2017, ai iu bashkua Manchester Unitedit për 85 milionë euro, por dështoi dhe iu bashkua Interit më 2019 për 74 milionë euro. 

(Kosova Sot Online )