PSG në bisedime me Milanin për Kessie, kërkon ta marrë qysh në janar

  • A.P /
  • 06 September 2021 - 18:22
PSG në bisedime me Milanin për Kessie, kërkon ta marrë qysh në janar

Paris Saint-Germain raportohet se e ka kontaktuar Milanin, duke shpresuar se mund të arrijë marrëveshje për transferimin e Franck Kessie qysh në janar.

Reprezentuesit të Bregut të Fildishtë i skadon kontrata me “Rossonerët” në qershorin e vitit të ardhshëm dhe raportohet se ka një boshllëk mes kërkesave të lojtarit dhe asaj që i ka ofruar Milani.

Raportet në Itali thonë se PSG është duke e monitoruar situatën dhe është e gatshme t’i jape mesfushorit pagën që e dëshiron në “Parc des Princes”.

Footmercato raporton se drejtori i PSG-së, Leonardo ka kontaktuar me drejtorin sportive të Milanit, Paolo Maldinin duke i propozuar negociata për një transferim të mundshëm në afatin kalimtar të janarit.

Në këtë mënyrë, mund të përfitojnë të dy palët, pasi Milani mund të fitojë para nga shitja, pasi rrezikon t’i largohet falas në verë.

Paraprakisht, Kessie kishte insistuar për të qëndruar në Milan, por momentalisht nuk ka treguar gatishmëri ta ulë pagën e tij.

PSG është e gatshme t’i ofrojë atij pagën e kërkuar prej 8 milionë euro në vit për ta sjeellë në kryeqytetin francez. 


(Kosova Sot Online)