
Pezullohen Wilderi dhe Fury pas luftës brutale

Deontay Wilderi do të detyrohet ta shërbejë një pezullim mjekësor gjashtëmuajsh, pas rrahjes brutale që ia shkaktoi Tyson Fury të shtunën në Las Vegas.
Fury e mbrojti titullin e botës WBC në kategorinë e rëndë me një paraqitje mahnitëse, duke e nokautuar Wilderin në rundin e 11-të në një luftë të paparë.
Edhe vetë boksieri britanik e puthi dyshemenë dy herë, që të dyja në rundin e katërt, në një luftë brutale që zgjati 11 runde.
Lufta e tretë Fury – Wilder do të mbahet në mend pa dyshim si njëra prej luftërave më të mira në historinë e boksit.
Wilderi u dërgua në spital për kontrolle mjekësore pas meçit, gjatë të cilit Fury e rrëzoi atë tri herë, përfshirë nokautin brutal.
Boksieri amerikan e theu njërin prej gishtërinjve gjatë luftës.
Komisioni Shtetëror i Atletikes në Nevada ka vendosur t’ia ndalojë boksin ish-kampionit të botës deri më 8 gusht. Wilderi do të ketë të drejtë të boksojë vetëm nëse ia lejon mjeku.
Ndërkohë, Fury është pezulluar me 45 ditë pas fitores, që është pezullim i rregullt për çdo boksier pas një lufte.
Kjo ishte fitorja e dytë e Furyt ndaj Wilderit që e vulos mbizotërimin e britanikut ndaj amerikanit.
31-vjeçari po ashtu vijon të jetë i pamposhtur si profesionit.
(Kosova Sot Online)