Shpërblehen olimpistët e Kosovës

  • S.A /
  • 09 December 2021 - 14:45
Shpërblehen olimpistët e Kosovës

 

Komiteti Olimpik i Kosovës i ndau sot shpërblimet për garuesit kosovarë që morën pjesë në “Tokyo 2020”

Komiteti Olimpik i Kosovës i ka shpërblyer sot sportistët që morën pjesë në Olimpiadën e Tokios.

I pranishëm në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve ishte edhe ministri i Sportit, Hajrullah Çeku.

Për pjesëmarrje në Lojërat e fundit Olimpike, garuesit u shpërblyen me nga 500 euro. Këtë shumë e përfituan garuesit, Eda Zeqiri, Olti Koldirolli, Drilon Ibrahimi, Donjeta Sadiku, Musa Hajdari, Egzon Shala, Akil Gjakova, Loriana Kuka e Majlinda Kelmendi.

Kurse, medalistet e arta olimpike, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, u shpërblyen me nga 10 mijë euro.

E Driton Kuka, në të dyja rastet, si trajner u shpërblye me gjysmën e shumës së garuesve të tij, me nga 5 mijë euro.

Gjithashtu, KOK-u nënshkroi kontrata me 22 bursistë olimpikë për mbështetjen e tyre deri në Olimpiadën e “Parisit 2024”.

Atyre do t’ju ndahen nga 250 deri në 1000 dollarë në muaj për t’u përgatitur sa më mirë për Olimpiadën e ardhshme.

7500 dollarë në muaj është shuma që ndanë Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për bursistët, ndërsa me vendim të Bordit Ekzekutiv, KOK-u ka shtuar edhe 1550 euro në muaj, që në total për 2 vjet e gjysmë, do të ndahen 46 500 Euro, pa i llogaritur këtu përfitimet tjera që do të kenë sportistët, me dërgimin në kampe jashtë vendit, në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për Lojërat e ardhshme Olimpike.

Siç dihet, Kosova mori pjesë në Olimpiadën e Tokios me 11 garues dhe ia doli t’i fitojë dy medalje të arta olimpike.

Vendi ynë arriti në kuotën e tri medaljeve olimpike pasi një të tillë e kishte fituar Majlinda Kelmendi në Olimpiadën e Rios. /

https://www.facebook.com/watch/kosovoolympiccommittee/?__tn__=F

(Kosova Sot Online )