
Futbollisti shqiptar shënon supergol në Turqi

Dejvi Bregu ka shënuar golin e radhës në divizionin e dytë të futbollit turk me Bolusporin, teksa u shfaq edhe Arb Manaj protagonist me Bandirmaspor.
Boluspor e mbylli në barazim 1-1 transfertën ndaj Samsunsporit të Çinarit (u fut në fushë në minutën e 81-të).
Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 22-të duke mposhtur Gentian Selmanin, por festa zgjati pak pasi Bregu gjeti golin e barazimit katër minuta më vonë. Sulm me shumë pasime i Boluspor dhe goditje fluturimthi me të djathtën e 26-vjeçarit përfundoi në rrjetë.
Ky ishte goli i pestë sezonal në 1. Lig, teksa Bregu numëron edhe dy asiste.
Vendasit mbetën me dhjetë lojtarë pas një ore lojë, por Boluspori nuk e gjeti golin e fitores dhe renditet në vend të 11-të.
Bandirmaspor fitoi 3-0 në shtëpi kundër Balikesirsporit të vendit të fundit.
Pjesë e vendasve është edhe Arb Manaj, sulmuesi i Kosovës, i cili dhuroi asistin e golit të parë për vendasit e vendit të katërt.
Ishte minuta e 48-të kur 23-vjeçari nga Klina dhuroi një pasim të saktë për gjermanin Levent Aycicek, i cili zhbllokoi ndeshjen dhe kaloi në avantazh Bandirmasporin.
(Kosova Sot Online)