Babai i Djokovicit udhëheq protestën në Beograd, vazhdon me komente të çuditshme

  • A.P /
  • 07 January 2022 - 19:00
Babai i Djokovicit udhëheq protestën në Beograd, vazhdon me komente të çuditshme

Babai i Novak Djokovic i krahasoi problemet e djalit të tij me të Jezu Krishtit dhe akuzoi qeverinë australiane që po dëshiron ta poshtërojë tenistin numër një në botë.

Srdjan Djokovic udhëhoqi protestën në përkrahje të djalit të tij në Beograd dhe akuzoi Australinë.

“Jezusi kishte gjithashtu probleme, i bënë gjithçka atij, por ai është ende gjallë mes nesh. Kesshtu edhe Novak. Ai është zemra e Serbisë, e botës së lirë”, deklaroi Srdjan Djokovic, para disa protestuesve të mbledhur para Parlamentit të Serbisë.

“Pse po na bëjnë këtë neve? Pse po ia bëjnë këtë Novakut?”, pyeti babai i tenistit, teksa turma ia ktheu: “Sepse na urrejnë, sepse jemi më të mirët”.

Protesta, e thirrur nga familja e Djokovicit zgjati gjysmë ore para se turma të shpërndahej.

Djokovic nuk u lejua të futet në Australi për të marrë pjesë në turneun grand slam, Australian Open 2022, pasi autoritetet e këtij vendi thanë se ai nuk i kishte plotësuar kërkesat për Covid-19.

(Kosova Sot Online)