
Tahiri e komenton vendin e 35-të që e zuri sot në Olimpiadën Dimërore

Kosova sot ka debutuar në Olimpiadën Dimërore që po mbahet në Pekin të Kinës me skitarin Albin Tahiri dhe skitaren Kiana Kryeziu.
Tahiri e zuri vendin e 35-të prej 43 garuesve pjesëmarrës.
Ai ishte i lumtur për pozitën e 35-të, por jo edhe aq edhe për mënyrën e lëshimit.
“Po, sot ishte gara ime e parë. Shtegu ishte shumë i akullt dhe më i shpejtë seç prisja unë, prandaj edhe i bëra disa gabime të cilat nuk llogarisja se do t’i bëja. Sidoqoftë, vendi i 35-të është më i miri në lojërat olimpike deri tani, prandaj jam i kënaqur me rezultatin por jo edhe me lëshimin. Pres më shumë në kombinimin alpin të enjten dhe shpresoj se do të përfundoj në top 30-she këtë herë”, ka deklaruar Tahiri, të cilin të enjten e pret sfida e ardhme olimpike.
Kurse, Kiana Kryeziu në njërën garë e zuri vendin e 59-të dhe në garën tjetër përfundoi e 49-ta, në një konkurrencë prej 82 garueseve.
(Kosova Sot Online)