
Jota shkëlqen në fitoren e Liverpool kundër Leicester

Diego Jota ka qenë kreator i fitores se Liverpool sonte në Anfield. Portugezi shënoi të dy golat në këtë ndeshje, një në minutën e 34-të dhe një tjetër në minutën e 87-të për t’i siguruar tri pikë Liverpolit në Premier Ligë
Liverpool vazhdon presionin në Manchester City për titull të Kampionit pasi që Reds sonte kanë mposhtur me rezultat 2-0 Leicester Cityn.
Fillimi i pjesës së parë ishte shumë më i mirë për Leicester të cilët do të rrezikonin portën e Alisson që në minutën e tetë me anë të mesfushorit James Maddison.
Por, Liverpool do të këndellej dhe fillon ta marrë lojën në dorë.
Trent Alexander-Arnold do ta gjente një hapësirë të vogël në minutën e 19 por ishte portieri Kasper Schmeichel duke bërë një pritje të mahnitshme dhe dërguar topin në goditje nga këndi.
Goli për Liverpool do të vinte në minutën e 34-të.
Fillimisht do të ishte van Dijk që do të godiste fuqishëm topin me kokë. Schmeichel e pret, por topi shkon të Diego Jota që shënon gol nga afarësia.
Firmino ishte shumë afër për ta dyfishuar epërsinë për Liverpool por ai e goditi herët topin gjë që shkoi direkt në duart e Kasper Schmeichel. Me epërsinë minimale të Liverpool përfundon edhe pjesa e parë.
Liverpool do ta fillonte fuqishëm pjesën e dytë, ku ishte përsëri Diego Jota që rrezikoi portën në minutën e 48-të të ndeshjes pas një vrapimi solo por Shmeichel bëri një super pritje.
Në minutën e 60-të, Jurgen Klopp do ta fuste në lojë Mohamed Salah në vend të Firminos.
Edhe pse më shumë pak kohë pushim, Salah do ta rrezikonte portën e Shmeichel dy herë brenda dy minutave, 74 dhe 76.
Fillimisht ai pati një solo përpjekje por portieri danez arriti që ta mbrojë këtë goditje dhe ta dërgojë jashtë fushe.
Salah do të rrezikonte përsëri portën e Leicester në minutën e 79-të, por ishte shtylla që ia mohojë atij golin e fitores.
I porsa transferuari në Liverpool, Luis Diaz kishte një shanse të mirë për të shënuar në minutën e 83-të por prapë Shmeichel ishte në vendin e duhur.
Goli i sigurisë për Liverpool do të vinte në minutën e 87-të.
Është përsëri Jota ai që do të shënonte gol për ta dyfishuar kështu epërsinë e Reds.
Me këtë fitore, Liverpool vazhdon të jetë në vendin e dytë me 51 pikë, 4 më shumë se Chelsea që është në vendin e tretë, por nëntë më pak se City që është në vendin e parë me 60 pikë, por Liverpool ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
(Kosova Sot Online)