Messi kërkon t’i japë fund formës së dobët ndaj Real Madridit

  • A.P /
  • 15 February 2022 - 16:45
Messi kërkon t’i japë fund formës së dobët ndaj Real Madridit

Paris Saint-Germain do të jetë nikoqir i Real Madridit sonte në kuadër të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve dhe do të jetë një përplasje speciale për Messin që kërkon t’i japë fund formës së dobët ndaj “Los Blancos”.

Messi nuk ka fituar ndaj Real Madridit që nga marsi i vitit 2019 dhe nga perspektiva personale ka shkuar në shtatë ndeshje ndaj tyre pa shënuar gol.

Që nga 2 marsi i 2019-tës, Messi ka humbur tri ndeshje ndaj Real Madridit dhe ka barazuar një, duke e bërë këtë si ecurinë më të keqe ndaj “Los Blancos”.

Goli i tij i fundit ndaj madrilenëve daton nga maji i vitit 2018, teksa sonte do ta kërkojë me çdo kusht.

Me 45 takime ndaj Real Madridit, ata janë skuadra kundër të cilës Messi ka luajtur më shumë ndeshje, me rekordin e tij prej 19 fitoresh, 11 barazime dhe 15 humbje.

Kundër Real Madridit, Messi ka gjetur rrjetën 26 herë, që është më pak se vetëm Sevilla (38), Atletico Madrid (32), Valencia (31) dhe Athletic Bilbao (29).

Mbrëmja e së martës nuk do të jetë përballja klasike e epokës së Messi – Cristiano Ronaldos në Spanjë, por argjentinasi ka filluar të gjejë formën e tij në Ligue 1 që kur u kthye nga lëndimi, duke shënuar kundër Lille dhe do të jetë kërcënimi kryesor për ekipin e Carlo Ancelottin.

(Kosova Sot Online)