
Ulpiana e bën 'hallakamë' procesin zgjedhor në FFK

Hallakama në procesin e zgjedhjeve për kryetar të FFK-së dita-ditës po bëhet më e madhe.
Sikur nuk kanë mjaftuar polemikat e jashtëzakonshme të deritashme në mes të krahut të Agim Ademit dhe opozitës së tij.
Tani, “benzina mbi zjarrë” hidhet nga klubi i Superligës, Ulpiana.
Në mungesë të kryetarit, ky klub ka mbetur në duart e nënkryetarit, Bujar Selimaj.
Bujar Selimaj del të jetë një kundërshtar i Agim Ademit.
Ndërsa, delegatë të klubit në FFK deri më tani kanë figuruar emrat e Yll Jasharit, sekretar i klubit dhe Enver Duriqit.
Jashari thuhet se është mbështetës i kryetarit aktual të FFK-së.
Mirëpo, Bujar Selimaj pretendon se Bordi i klubit e ka suspenduar nga të gjitha pozitat Yll Jasharin.
Andaj, sot gjatë ditës, klubi i Ulpianës ka provuar t’i ndërrojë delegatët në Lidhjen Rajonale të Prishtinës dhe në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Por, thuhet se ata i kanë gjetur dyert e mbyllura.
Ndërsa, Yll Jashari vazhdon të menaxhojë me klubin duke e shpërfillur suspendimin, të cilin e përmend Bujar Selimaj.
Por, në një dokument që e ka lëshuar Yll Jshari në emër të klubit thuhet se delegatët e caktuar qysh në fillim të sezonit nuk mund t’i ndrrëoj askush dhe ka kërkuar nga të gjitha palët të mos ndërhyjnë në politikat e Ulpianës.
Ndërkohë, FFK-ja ka reaguar përmes një komunikate duke kërkuar që të mos bëhen presione e shantazhe mbi delegatët, duke i ftuar këta të fundit që në raste të tilla t’u drejtohen policisë dhe prokurorisë.
Por, krahu i Bujar Selimajt thotë se FFK-ja, përmes këtij reagimi doli në përkrahje të Jasharit.
Ata thonë se nënkryetari Selimaj jep para në klub dhe është e drejt e tij të vendos se nga kush të përfaqësohet klubi në Kuvendin e FFK-së.
Edhe pse Selimaj ishte i pa qasshëm në telefon, bashkëpunëtorët e tij thanë për “Express” se Jashari në mënyrë të paautorizuar po e përdor vulën dhe dokumentacionin e klubit për t’ia bërë “hyzmetin” Agim Ademit.
Ata kujtuan se sipas statutit, Bujar Selimaj dhe Ulpiana kanë kohë së paku 20 ditë para mbajtjes së Kuvendit t’i paraqesin delegatët e klubit.
Por, thanë se FFK-ja ua ka mbyllur dyert për t’ua pamundësuar ndërrimin e delegatëve.
(Kosova Sot Online)