Federata ia bën “për hajr” Agim Ademit mandatin e dytë

Federata e Futbollit të Kosovës ia ka dhënë një mandat të dytë kryetarit aktual të saj, Agim Ademi, ende pa u mbajtur Kuvendi Zgjedhor.
Në fakt, sot shtëpia e futbollit kosovar më në fund, më pak se 24 orë para mbajtjes së zgjedhjeve, e njoftoi kohën dhe vendin e zgjedhjeve.
E në ndërkohë, i njoftoi mediat se mund të flasin me kryetarin e ardhshëm, sipas FFK-së, vetëm pas përfundimit të Kuvendit Zgjedhor.
“Pas përfundimit të Kuvendit, presidenti Ademi njëherësh kandidati i vetëm në zgjedhjet e 6 prillit, do të jetë në dispozicion për prononcuar dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja”, njofton FFK-ja.
Ajo ndër të tjera zbuloi se Kuvendi do të mbahet nga ora 11:00 në selinë e FFK-së.
E për shkak të hapësirës dhe numrit të kufizuar të pjesëmarrësve, FFK-ja bën me dije se kësaj radhe është e pamundur të krijojë hapësirë edhe për mediat në përcjelljen e Kuvendit përpos kamerave të Art Motion, si transmetues i drejtpërdrejt i këtij Kuvendi, i cili nga shumëkush është konsideruar si i parregullt dhe i paligjshëm.
Agim Ademi është kandidati i vetëm për kryetar pasi i bllokoi nënshkrimet e delegatëve duke ua mohuar kandidimin të tjerëve.
(Kosova Sot Online)