Federata mbetet në duart e kryetarit kontrovers Agim Ademi

  • A.P /
  • 06 April 2022 - 15:57
Federata mbetet në duart e kryetarit kontrovers Agim Ademi

Agim Ademi iu mbijetoi shumë stuhive duke e fituar edhe një mandat në krye të FFK-së. Shtëpia e futbollit kosovar do të udhëhiqet edhe për katër vjet nga njeriu që është pjesë e futbolli nga vitet e 90-ta, por që gjatë rrugës e përshkuan problemet si dënimi me burg, sulmet fizike dhe akuzat e njëpasnjëshme nga ana e opozitës

Agim Ademi e mori sot një mandat tjetër katërvjeçar në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në mes polemikash dhe akuzash, ai do ta gëzojë mandatin e dytë si prijës i futbollit kosovar.

Ademi e kishte marrë bajrakun para më pak se katër vjetësh, pas vdekjes së kryetarit të atëhershëm, legjendës Fadil Vokrri

I lindur më 19 tetor të vitit 1961, Ademi njihet si një biznesmen kosovar, i cili është pjesë e futbollit të këtushëm që nga vitet e 90-ta.

Në atë kohë ishte kryetar dhe donator në Kosovën e Prishtinës, ndërsa më pas në fillim-vitet e 2000-ta u bë nënkryetar i FFK-së.

Sa i përket jetës personale, ai nuk pati asnjherë qetësi.

U dënua dy herë me burg, por nuk e mbajti asnjëherë atë.

Kjo pasi e shpëtoi akti më i lartë – Gjykata Supreme, e cila i ktheu në pikën zero akuzat që e ngarkojnë për kërcënim.

Madje, ai e kishte marrë një letër nga UEFA, e cila ia kishte ndaluar Ademit çdo veprimtari në futboll, gjë që Ademi dhe FFK-ja e kishin mbajtur sekret.

Por, vendimi i Supremes e shpëtoi kokën e tij.

Më pas, e përshkuan edhe skandalet tjera, siç ishin disa përleshje me anëtarët e stafit të tij në FFK.

E si rezultat i kësaj e kaloi një natë në burg në mbajtje.

Në fund mbeti edhe pa krahët e djathtë si Eroll Salihu, Arianit Ahmeti e Gramoz Vokrri, të cilët i largoi nga vetja.

Imazhi i tij ka pësuar rënie pas konflikteve dhe problemeve me gjykata.

Derisa mandatin e parë e fitoi me vendim unanim, të dytin e mori me një kerr ankesash dhe akuzash nga klubet e zëshme

Klubet opozitare e konsideruan si të jashtëligjshëm Kuvendin dhe u zotuan se s’do të ndalen së kërkuari të drejtën e tyre.

E Ademi që nga nesër do ta nisë mandatin e ri, por sigurisht se s’do të jetë aspak i qetë nga problemet që e rrethojnë. 

(Kosova Sot Online)