
Klubet e mëdha që s’mund të kualifikohen në Champions

UEFA po mendon t’ua bëjë qarën klubeve të mëdha evropiane që mbesin pa u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.
Në fakt, shtëpia e futbollit evropian, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv dhe të Kongresit të saj, që po mbahet në Vjenë të Austrisë, do t’ua japë një mundësi të dytë klubeve të mëdha.
Më saktësisht, nga viti 2024, UEFA do t’ua japë dy vende të Championsit shteteve me performancat më të mira të klubeve të tyre në Evropë në atë sezon.
Lajmin e ka bërë të ditur mediumi “The Times”.
Ideja është që t’u jepet mundësia klubeve me koeficient më të lartë, të cilat dështojnë të kualifikohen përmes ligës së tyre, siç ndodhi sivjet me Manchester Unitedin.
Pra, nga viti 2024 mund të shohim në Champions më shumë se katër klube nga ligat më të forta evropiane, varësisht se ekipet e cilës ligë tregohen më të suksesshme.
(Kosova Sot Online)