
Roma e mbyll sezonin me fitore, siguron një vend në Ligën e Evropës

Roma e ka mbyllur sezonin 2021/22 në Serie A me fitore ndaj Torinos. Skuadra nga kryeqyteti italian gjithashtu ka siguruar edhe një vend për sezonin e ardhshëm në Ligën e Evropës.
Skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho fitoi në udhëtim te Torino me rezultatin 0:3.
Tammy Abraham shkëlqeu në këtë ndeshje, duke shënuar dy prej golave të fitores.
Sulmuesi anglez shënoi në minutat 33 dhe 42. Golin e dytë e shënoi nga pika e bardhë.
Kurse, për golin e tretë u përkujdes Lorenzo Pellegrini, i cili shënoi në minutën e 78-të, gjithashtu nga penalltia.
Pas 38 ndeshjeve të zhvilluara, Roma renditet e pesta në tabelë me 63 pikë, aq sa ka edhe Lazio një pozitë më poshtë. Por, lacialët tani janë me një ndeshje më pak.
Torino e Etrit Berishës e Mergim Vojvodës ndodhet në pozitën e dhjetë me 50 pikë.
Me po aq pikë, një pozitë më poshtë renditet Sassuolo, që tani ka një ndeshje më pak se Torino.
(Kosova Sot Online)