Merret vendimi, rikthehet futbolli në Ukrainë

  • A.P /
  • 11 July 2022 - 22:16
Merret vendimi, rikthehet futbolli në Ukrainë

Ukraina është gati të rinisë kampionatin e futbollit, edhe pse luftimet ndaj forcave ruse vazhdojnë të zhvillohen në shumë pjesë të shtetit.

Liga e Futbollit të Ukrainës, bëri të ditur më 27 prill ndërprerjen përfundimtare të kampionatit për shkak të zgjatjes së statusit të gjendjes ushtarake në vend.

Renditja përfundimtare mbeti ajo e 24 shkurtit 2022, teksa u vendos të mos jepej trofeu i titullit për Shakhtar Donetsk, që kryesonte me dy pikë mbi Dinamon e Kievit.

Ndërkohë, ministri i Rinisë dhe Sportit të Ukrainës, Vadym Gutzai deklaroi ditën e sotme se kampionati do të rifillojë më 23 gusht, teksa deklaroi: “Ndeshjet do të zhvillohen në territorin kombëtar, pa tifozë, me lejen e administratave ushtarake lokale dhe me respektimin e detyrueshëm të të gjitha rregullave të sigurisë”.

“Rajonet e identifikuara për të luajtur ndeshje janë ato të Lvivit, Kievit, Transkarpatias dhe Ternopilit. Por në rast alarmi për sulm ajror? E thjeshtë, ndeshjet do të pezullohen dhe lojtarët, trajnerët e stafi do të duhet të shkojnë me shpejtësi në vendet e strehimit”.

(Kosova Sot Online)