Lojtari i Kombëtares: Në Kosovë mund të luash veç nëse babai yt e njeh dikë

  • A.P /
  • 25 July 2022 - 14:49
Lojtari i Kombëtares: Në Kosovë mund të luash veç nëse babai yt e njeh dikë

Donat Rrudhani është sensacioni më i madh së fundmi i Kombëtares së Kosovës.

Futbollisti anësor shpërtheu në ndeshjet e qershorit me “Dardanët” duke e mbuluar me plot sukses pozitën e mbrojtësit anësor, ku ekipi i Alain Giresse kishte plot mungesa.

23 vjeçari ishte lindur në Kamenicë dhe kishte jetuar aty për disa vite para se familja e tij të emigronte drejt Francës.

Mesfushori kosovar këtë verë nënshkroi me Young Boys në Zvicër pas eksperiencave që i pati në CO Langres, Troyes AC e FC Brunstatt me të rinjtë, për të vazhduar më pas me ekipet seniore Timau Basel, Black Stars Basel dhe Aarau.

Por, përfaqësuesi i ri kosovar e ka kujtuar kohën kur ka luajtur pak në Kosovë.

Për mediumin zviceran “Blick”, ai e ka zbuluar një detaj të hidhur dhe një realitet të trishtë, përcjell “Gazeta Express”.

Rrudhani e ka përmendur faktin se në vendin tonë futbollistëve të rinj ju bëhet padrejtësi pasi jo gjithmonë luajnë ata që e meritojnë.

“Për të gjithë ne. Jo vetëm për mua si futbollist. Sepse, nëse kthehemi në atë kohë ishte kështu: Nëse babai yt e njeh dikë në klub, do të mundë të luaje. Në të kundërtën, jo”, thotë fillimisht Rrudhani.

Babai i tij, një ish-futbollist kosovar, e pa që në Kosovë nuk ka perspektivë për tre fëmijët e tij, prandaj edhe vendosi të emigronte.

Ata vendosën të shkonin në Francë përmes malit, duke e kaluar kufirin ndërmjet Serbisë me Hungarinë dhe duke ecur plot pesë orë nëpër terr.

Donati nisi të ambientohej dhe t’i përshtatej rrethit dhe realitetit të ri.

Fillimisht iu bashkua ekipit të të rinjve të Troyes dhe më pas luajti në divizionin e pestë të futbollit francez, FC Brunstatt, një klub amater ky.

Rrudhani e tregon periudhën kur i është dashur ta gërshetonte futbollin me shkollimin, të cilin nuk dëshironte assesi të linte anash.

Më pas, ai ishte zhvendosur në Zvicër, ku luan që nga viti 2017.

Tutje, futbollisti ofanziv zbulon se Shkëlqen Gashi, ish-përfaqësues i Shqipërisë, ishte idhull i tij dhe se një ditë i erdhi mundësia që ta realizojë ëndrrën dhe të luajë së bashku me të.

Tash, ai është duke u ambientuar në klubin e ri, Young Boys.

“Dita kur menaxheri më tha që Young Boys më donte, ishte e jashtëzakonshme. E dija se thuajse çdo ekip i Superligës ishte i interesuar për mua. Ky ekip ishte protagonist në pesë vjetët e fundit dhe kjo ofertë më bëri krenar”, përfundoi Rrudhani, i cili duket se do t’i ketë disa vite të ndritshme në karrierën e tij. 

(Kosova Sot Online)