Christian Mba, ylli i javës në Superligë

  • S.A /
  • 15 August 2022 - 12:16
Christian Mba, ylli i javës në Superligë

Sulmuesi i Trepçës’89, Christian Mba është shpallur futbollisti më i mirë i javës së parë në Superligën e Kosovës në futboll. Vlerësimin për lojtarin e javës në ligën elitare e bëri Komisioni treanëtarësh nga Liga e Veteranëve të Futbollit të Kosovës, e në këtë rast ishin: Muhamet Sylejmani nga KFV Mitrovica, Agim Xhakolli nga KFV Vushtrria dhe Selami Tuzi nga KFV Gjakova. Ata vendosën unanimisht që këtë çmim t’ia ndajnë futbollistit të Trepçës ’89.

Sulmuesi nigerian pati paraqitje të shkëlqyeshme në ndeshje kundër Dritës në stadiumin “Riza Lushta” dhe kjo bëri që Komisioni ta vlerësojë atë me çmimin ‘Ylli i Javës’.

Mba i realizoi dy supergola për “Minatorët”, teksa gjatë tërë ndeshjes pati paraqitje shumë të mirë, duke qenë më i merituari që skuadra e tij rikthimin në elitë pas një viti ta nisë me arkëtimin e një pike, ndonëse ishte në rrugë të mirë edhe për të fituar.

E ky çmim për nigerianin Mba ka peshë të madhe.

“Jam shumë i lumtur që jam shpallur ‘Ylli i Javës’ në xhiron e parë të Superligës. Kundër Dritës patëm një paraqitje shumë të mirë. Loja ishte dinamike dhe mjaft e mirë. Ne u angazhuam shumë dhe pas epërsisë 2:0 prisnim fitore, por nuk ndodhi. Do të punojmë shumë në këtë edicion për ta pozicionuar Trepçën’89 sa më lartë. Shpresoj të vazhdoj me lojëra të mira dhe të jap sa më shumë gola”, ka theksuar Mba pas marrjes së këtij çmimi.

(Kosova Sot Online )