
Muriqi sërish më i miri te Mallorca

Vedat Muriqi realizoi një gol të bukur me kokë, por që nuk mjaftoi që ekipit i tij, Mallorca të dalë me pikë nga “Santiago Bernabeu”.
Real Madridi ka shënuar fitore me rezultat 4:1 ndaj Mallorcas në kuadër të javës së pestë në La Liga.
Se kjo do të ishte një ndeshje e mirë për Muriqin, u pa qysh në sekondat e para të takimit, kur sulmuesi kosovar e kaloi me lehtësi Rudigerin për të plasuar një goditje e cila u ndal nga Courtois.
Ishte minuta e 35-të kur Muriqi realizoi për 0:1 një gol të bukur me kokë, pas një asistimi nga Lee.
Ky ishte goli i tretë këtë edicion për sulmuesin shtatlartë, pas tri ndeshjeve të zhvilluara.
Por, në sekondat e fundit të pjesës së parë, Valverde me një gol fantastik nga distanca barazoi shifrat.
Në pjesën e dytë, Real Madridi mori tërësisht situatën nën kontroll.
Goli i përmbysjes së rezultatit erdhi në minutën e 73-të, kur realizoi Vinicius Junior.
Për shifrat 3:1 u përkujdes Rodrygo në minutën e 89-të.
Krejt në fund të ndeshjes Antonio Rudiger shënoi për epilogun e këtij takimi, Real Madrid 3, Mallorca 1.
Me këtë fitore, Real Madridi shkon në kuotën e 15 pikëve në vendin e parë, kurse Mallorca mbetet e 13-ta me pesë pikë nga pesë ndeshje.
Ndërkohë, nga Sofascore, Vedat Muriqi mori notën më të lartë nga ekipi i tij.
28-vjeçari u vlerësua me notën 7.4.
(Kosova Sot Online)