Sinani optimist për sfidat që e presin me Prishtinën
Sigal Prishtina në fillim të kësaj jave i ka nisur përgatitjet për pjesën e dytë të edicionit në të cilën e presin sfida të mëdha, duke marr parasysh faktin se bardhekaltrit duhet të rikuperojnë shumë si në Superligën e Kosovës, ashtu edhe në Ligën Ballkanike (BIBL). Në elitën e basketbollit kosovar kryeqytetasit zënë vendin e dytë në renditjen tabelare me 21 pikë, 3 më pak se Peja që është lidere, derisa në BIBL zënë pozitën e tretë në Grupin A me vetëm 6 pikë të tubuara, dy më pak se Kozuv-i i vendit të dytë dhe katër më pak se Mornar-i që i prin tabelës.
Sidoqoftë për Prishtinën ka nisur një faqe e re pas ndryshimeve të bëra si në shtabin teknik ashtu edhe në përbërjen e skuadrës. Në krye të ekipit ka ardhur qiprioti Antonis Constantinides, ish-trajneri i Energia Targu Jiu të Rumanisë. Një nga basketbollistët prej të cilit pritet shumë në stinorin pranveror, shtatlarti Gazmend Sinani është shprehur i kënaqur me rrjedhën e deritanishme të përgatitjeve dhe me atmosferën që po mbizotëron aktualisht në taborin bardhekaltër. “Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Trajneri i ri ka sjell një frymë të re, po na motivon dhe po na jep vullnet në çdo seancë stërvitore. Gjithçka deri më tani është në rregull dhe kështu besoj se do të jetë edhe në vazhdim të edicionit. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur si në shtabin teknik ashtu edhe në përbërje. Të gjithë jemi duke e dhënë maksimumin për t’u komponuar sa më mirë”, ka theksuar Sinani.
(Kosova Sot)
