Drita dështon në udhëtim te Fushë Kosova, ‘Pampurat’ marrin tre pikë të mëdha

  • S.A /
  • 02 March 2024 - 15:18
Drita dështon në udhëtim te Fushë Kosova, ‘Pampurat’ marrin tre pikë të mëdha

Drita sërish dështon me skuadrat e fundit të tabelës, kësaj radhe gjilanasit janë mposhtur nga Fushë Kosova në udhëtim me rezultat minimal 1-0.

Ishte skuadra gjilanase që pati më shumë nga loja në pjesën e parë, madje duke krijuar raste të mira shënimi me Baftiun, Dabiqajn e Blerim Krasniqi, por pa sukses. Me rezultatin baras 0-0 u mbyllën 45 minutat e para në këtë sfidë.

Edhe në pjesën e dytë Drita krijoi raste të mira shënimi me Baftiun, Dabiqajn e Selmanin, por portieri vendas bënte pritje të pabesueshme.

Rastin më të mirë e kishte Almir Ajzeraj, megjithatë edhe goditja e tij nga penalltia u prit nga portieri vendas.

Ishte minuta e 88-të e ndeshjes, kur Fushë Kosova doli në një kundërsulm të shpejtë derisa Sinanovic realizoi për 1-0.

Drita tentoi deri në fund të barazonte rezultatin, megjithatë nuk arriti të bënte gjë më shumë dhe Fushë Kosova i siguroi tre pikë të mëdha.

Vendasit tani shtojnëgjasat për mbijetesë pasi kanë 15 pikë në pozitën e nëntë, derisa Drita mbetet e treta me 43 pikë pesë më pak se lideri Ballkani.

Në xhiron e ardhshme Fushë Kosova luan në udhëtim te Dukagjini, derisa Drita luan derbin me Prishtinën në Gjilan. 

(Kosova Sot Online )