Pasiu Iu shënoi gola ekipeve të njohura kosovare, Florid Gashi vendos ta mbyllë karrierën

  • S.A /
  • 22 May 2024 - 13:13
Pasiu Iu shënoi gola ekipeve të njohura kosovare, Florid Gashi vendos ta mbyllë karrierën

Florid Gashi e ka shijuar në maksimum karrierën e tij futbollistike.Ndonëse nuk luajti në ekipet e njohura kosovare, ai e pati mundësinë të përballej me to, e madje t’ju shënojë edhe gola dhe të shkëlqejë ndaj tyre, transmeton "Kosova Sot Online ".

E si çdo fillim që e ka edhe fundin, edhe karrierës së futbollistit gjakovar i ka ardhur fundi.

37 vjeçari e ka marrë vendimin që t’i vendosë këpucët në gozhdë pasi luajti për disa ekipe kosovare.

Ai ndihet i kënaqur me karrierën dhe ka kujtime shumë të mira nga krejt këto vite sa u mor me futboll.

“Karrierën e kam filluar tek KF Gjakova si sulmues e pastaj tek KF Luftëtari kam qenë golashënuesi më i mirë në Ligën e Dytë. Kam luajtur edhe në tek Lugu i Baranit, Rilindja e Kosovës, Dardanët, Dushkaja, me të cilën jemi shpallur kampion nga Liga e Tretë dhe dolëm në Ligën e Dytë, pastaj në KF Dukagjini e KF Xërxa, ndërsa së fundmi kam luajtur tek KF Dardanët. Në këtë klub e falënderoj trajnerin Dedi Tunaj dhe stafin e KF Dardanët”, deklaroi fillimisht Gashi, i cili ndërkohë ka luajtur edhe në futsall me ekipin KF Viganët.

“Unë iu kam shënuar gola shumë skuadrave të mëdha kosovare siç janë: Vëllaznimi, Istogu, Onix, Malisheva, Rahoveci, Drenica, Deçani e Behari”, zbulon futbollisti gjakovar.

E tash, pas përfundimit të karrierës si futbollist i seniorëve, Florid Gashi, i cili njëherësh është kampion i Kosovës në kërcimet nga Ura e Fshejt, nuk e ka ndërmend të ndahet nga futbolli.

“Pas përfundimit të futbollit profesional, do të vazhdoj me futbollin tek veteranët e klubit të futbollit Gjakova, aty ku edhe e fillova karrierën”, përfundoi Gashi.

(Kosova Sot Online )