Disa klube angleze i vihen pas McKennie të Juventusit

  • A.P /
  • 29 May 2024 - 17:52
Disa klube angleze i vihen pas McKennie të Juventusit

Weston McKennie përmbylli një sezon të kënaqshëm me Juventusin në Itali.

Mirëpo, edhe pas kësaj periudhe të mirë, ai nuk është i vendosur të nënshkruajë kontratë të re, me aktualen që i skadon në qershor të vitit 2025.

Sipas mediave italiane, mesfushori amerikan po përmendet te shumë skuadra angleze, me Aston Villan, Evertonin dhe Newcastle United ndër më të interesuarat.

Juventusi është i interesuar të vazhdojë me mesfushorin, mirëpo nëse një marrëveshje nuk arrihet, atëherë klubet duhet të paguajnë deri në 21 milionë funte për shërbimet e tij.

Më herët këtë muaj, vetë McKennie kishte folur rreth kësaj situate, duke e shprehur dëshirën që të vazhdojë me “Zonjën e Vjetër”.

“Kam edhe një vit në kontratë, dhe menaxheri im po bisedon vazhdimisht me drejtorin. Unë kam shprehur dëshirën time të qëndroj, por do të shohim se çfarë do të ndodhë”, kishte thënë ai për DAZN.

McKennie i ishte bashkuar Juventusit në vitin 2020 nga Schalke, njëherë në formë huazimi, pastaj edhe si transfer i përhershëm.

Mesfushori do të jetë pjesë e listës së ShBA-së për Copa America, që do të nis muajin tjetër.


(Kosova Sot Online)