
Conmebol nis hetim për përleshjen e Nunez me tifozët e Kolumbisë

Conmebol ka hapur një hetim mbi skenat “të papranueshme” ku sulmuesi i Uruguait, Darwin Nunez, u përlesh me tifozët e Kolumbisë në Kupën e Amerikës në Shtetet e Bashkuara.
Sulmuesi i Liverpool-it, Nunez, ishte i përfshirë në një përplasje me spektatorët në tribuna pas fitores 1-0 të Kolumbisë në gjysmëfinalen e së mërkurës në Charlotte, Karolina e Veriut.
Incidenti ndodhi në një sektor të stadiumit ku ishin ulur shumë anëtarë të familjeve të lojtarëve të Uruguait.
“Është e papranueshme që një incident i tillë të kthejë pasionin në dhunë,” thuhet në një deklaratë të Conmebol, organi drejtues i futbollit në Amerikën e Jugut.
“Në prag të finales së Kupës së Amerikës, duam të riafirmojmë dhe paralajmërojmë se nuk do të tolerohet asnjë veprim që njollos këtë festë globale të futbollit, që përfshin si lojtarët ashtu edhe tifozët e pranishëm në stadium.”
Organizata theksoi se dëshiron të “kuptojë sekuencën e ngjarjeve” që çuan në incident.
Trubullimi shpërtheu pas fitores së Kolumbisë, që e çon në një finale kundër Argjentinës të dielën.
Nunez u ngjit mbi kangjellat dhe shkoi në tribuna të mbushura me njerëz.
“Nuk kishte polici dhe ne duhej të mbronim familjet tona,” tha kapiteni i Uruguait, Jose Maria Gimenez.
“Kjo është faji i dy ose tre personave që kishin pirë shumë dhe nuk dinë si të pinë.”
Nunez u pa duke përqafuar djalin e tij në fushë pasi përleshja u qetësua.
Sulmuesi ende nuk ka komentuar publikisht mbi incidentin.
(Kosova Sot Online)