
Distria Krasniqi e mëson kundërshtaren në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike

Distria Krasniqi pati performancë të jashtëzakonshme deri më tani në Lojërat Olimpike të Parisit.
Kampionia olimpike arriti të kualifikohet në gjysmëfinale të kategorisë deri në 52 kilogramë në xhudo.
Ajo tashmë ka mësuar edhe kundërshtaren që do ta ketë në këtë fazë.
Xhudistja kosovare do të përballet me italianen, Odettte Giuffrida, në pengesën e fundit para finales së madhe. Ky duel do të zhvillohet pas orës 16:00
Paraprakisht, Krasniqi kaloi pa luftë raundin e parë, kurse në të dytin u ndesh me indonezianen, Maryam March Maharani, të cilën e mposhti me IPPON brenda 37 sekondave.
E me IPPON dhe brenda një minuti, Distria fitoi edhe në çerekfinale ndaj xhudistes nga Izraeli, Gefen Primo.
Distria Krasniqi në rast fitoreje në gjysmëfinale do ta siguronte të paktën medaljen e argjendtë, kurse nëse humbet, do të ketë një luftë tjetër për medaljen e bronztë.
(Kosova Sot Online)