Juventus nis bisedimet me bashkëlojtarin e Zhegrovës

  • A.P /
  • 25 September 2024 - 10:31
Juventus nis bisedimet me bashkëlojtarin e Zhegrovës

Drejtori sportiv i Juventusit, Cristiano Giuntoli, raportohet se ka hapur bisedime për të nënshkruar me Jonathan David si lojtar të lirë në fund të sezonit, pasi kontrata e sulmuesit të Lille përfundon në qershor 2025.

Me 26 gola të shënuara nga 47 ndeshje të zhvilluara për ekipin francez sezonin e kaluar në të gjitha garat, sulmuesi kanadez ka tërhequr interes nga disa klube të mëdha evropiane, përfshirë disa ekipe italiane.

Sipas Tuttomercatoweb, drejtori i Bianconerëve, Giuntoli, ka nisur kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit për të kuptuar shpenzimet e mundshme të marrëveshjes.

Pavarësisht se do të largohet nga Lille si lojtar i lirë, nënshkrimi i Jonathan David do të përfshijë ende shpenzime të konsiderueshme.

Verën e kaluar, Lille ishte e gatshme ta shiste për një shifër rreth €20-25 milionë, por agjenti i tij raportohet se kërkoi një bonus nënshkrimi prej €5 milionë, përveç kërkesave për pagë që afroheshin në €6 milionë në sezon.

Shumë ekipe u tërhoqën pas këtyre kërkesave, por komisioni i agjentit mund të jetë edhe më i lartë verën e ardhshme, kur lojtari të jetë i lirë për të nënshkruar pa një shumë transferimi.

Megjithatë, vendimi i Juventusit për të përfunduar marrëveshjen do të varet nga paraqitjet e Dusan Vlahovic këtë sezon.

Sulmuesi serb ka shënuar dy gola deri tani në pesë ndeshjet e tij të para në Serie A nën drejtimin e Thiago Motta, por bisedimet për rinovimin e kontratës së tij, e cila përfundon në qershor 2026, aktualisht kanë ngecur.

(Kosova Sot Online)