Kombëtarja e Kosovës niset drejt Rumanisë

  • a.[ /
  • 14 November 2024 - 15:08
Kombëtarja e Kosovës niset drejt Rumanisë

Kombëtarja e Kosovës në futboll është nisur drejt Rumanisë, ku nesër mbrëma do ta zhvillojë ndeshjen vendimtare dhe përcaktuese për vendin e parë të Grupit 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.

Edon Zhegrova e ka publikuar një fotografi nga aeroplani, teksa e konfirmon nisjen drejt Bukureshtit,.

Dardanët kanë ushtruar nga e hëna në atdhe, ndërsa sonte do ta zhvillojnë seancën e fundit stërvitore në kryeqytetin rumun para ballafaqimit të nesërm.

Verdhekaltrit janë nisur me optimizëm për në Rumani, ndërsa besojnë se do të dalin nga fusha me një rezultat të favorshëm.

Natyrisht, ata s’do të kenë punë aspak të lehtë përballë lideres së grupit, e cila nuk ka humbur ende.

Madje, rumunët kanë kapital prej tre golash pas fitores së regjistruar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në muajin shtator.

Trajneri Franco Foda po mundohet ta gjejë ekipin ideal për t’iu kundërvënë rumunëve, duke e pasur parasysh se për këtë ndeshje i ka gjashtë mungesa: Milot Rashica, Bersant Celina, Leart Paqarada, Donat Rrudhani, Ermal Krasniqi e Emir Sahiti.

Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës do të zhvillohet nesër mbrëma duke filluar nga ora 20:45.

Më pas, të hënën që vjen, Dardanët do ta presin Lituaninë në “Fadil Vokrri” në ndeshjen e fundit të fazës së grupit. 


(Kosova Sot Online)