Kovac, trajner i ri i Borussia Dortmundit

  • A.P /
  • 30 January 2025 - 11:05
Kovac, trajner i ri i Borussia Dortmundit

Borussia Dortmund e ka zyrtarizuar sot trajnerin e ri, Niko Kovac.

Ish-trajneri i Bayern Munichut dhe i Wolfsburgut do ta zëvendësojë Nuri Sahinin e shkarkuar, ndërsa ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2026.

Ai do ta nisë punën të dielën, që nënkupton se trajneri i përkohshëm, Mike Tullberg do ta drejtojë ekipin për herë të fundit kundër Heidenheimit të shtunën.

“Ne kishim diskutime intensive me Niko Kovac në ditët e kaluara duke i lënë vetes kohë që ta njohim njëri tjetrin dhe duke i treguar pritshmëritë tona. Energjia, vendosmëria dhe sensi i shpirtit të ekipit, kanë qenë gjithmonë shenjat dalluese të ekipeve të Nikos”, deklaroi drejtori menaxhues i sportit në Borussia Dortmund, Lars Ricken.

“Kjo është ajo që duam ta shohim dhe ta ndiejmë brenda dhe jashtë fushës. Ne jemi në një situatë sfiduese sportive dhe jemi të sigurt se tek Niko ne e kemi gjetur trajnerin i cili është në gjendje ta menaxhojë këtë situatë”, përfundoi ai.

Kovac, i cili ka qenë pa punë që kur ishte shkarkuar nga Wolfsburgu në mars të vitit të kaluar, tha:

“Bisedimet me Lars Ricken ishin mjaft konstruktive, me thellësi të nevojshme, qartësi dhe familjarizim me situatën.  Çdokush në Dortmund na dha ndjenjë mjaft të mirë gjatë bisedimeve dhe jam i bindur se mund të arrijmë shumë së bashku në të ardhmen.”

“Gjëja më e rëndësishme për të gjithë ne tash është që ta kemi një dëshirë absolute, një zemër të madhe dhe pa përtesë për të punuar fort për ta përfaqësuar Borussia Dortmundin në mënyrën më të mirë të mundshme në Bundesligë, në Ligën e Kampionëve dhe në Botërorin e Klubeve në verë. Ne do ta marrim këtë sfidë me vendosmëri dhe me fokus.”


(Kosova Sot Online)