
Guardiola e zbulon kohën kur do të kthehet Rodri

Prej që është lënduar Rodrigo Hernández Cascante, Manchester City e ka marrë teposhtëzen.
Mesfushori spanjoll, më mirë i njohur si Rodri, e pësoi një këputje të ligamentit të kryqëzuar të gjurit të djathtë në muajin shtator.
Dhe, kampioni i Evropës gjithmonë shpresonte që të rikthehej në fushën e blertë para fundit të sezonit 2024/25.
Shërimi i tij po shkon mirë dhe fituesi i Topit të Artë është në rrugë të mbarë për t’u rimarrë pozitën e tij.
“Citizens” e kanë publikuar një video ku shihet spanjolli duke nisur që ta godasë topin gjatë një stërvitjeje individuale.
Dhe, edhe vetë trajneri Pep Guardiola ka zbuluar se ka shpresa të mëdha që të mundë ta ketë lojtarin në dispozicion në fund të sezonit.
Ndonëse është larg gjendjes për ta luajtur një ndeshje dhe larg për t’iu bashkuar skuadrës në stërvitje, 28 vjeçari megjithatë mund të jetë i kënaqur për këta hapa të parë përpara, të bërë për herë të parë që nga lëndimi i tmerrshëm që e kishte pësuar.
“Do t’i bëjmë hapa një nga një. Nuk duhet të marrim vendime të çmendura, por duket në formë. Nuk them se është afër të kthehet, por sot e goditi topin, ishte në dhomën e zhveshjes për t’i përshëndetur shokët. Ndihet i sigurt dhe më i lumtur sesa disa javë më parë. Nuk e prisja, por mund të na ndihmojë në Premierligë para fundit të sezonit”, deklaroi trajneri i “Skyblues”.
(Kosova Sot Online)