Ancelotti: Unë nuk di ta përdor kamxhikun

  • A.P /
  • 23 April 2025 - 11:20
Ancelotti: Unë nuk di ta përdor kamxhikun

Carlo Ancelotti nuk e di ende se cila do të jetë e ardhmja e tij.

Trajneri italian foli për këtë temë para ndeshjes kundër Getafes në La Liga.

“Don Carlos” po i lëkundet karrigia pas një sezoni të vështirë nëpër të cilin po kalon, përfshirë këtu eliminimin e hershëm nga Liga e Kampionëve dhe ngecjen prapa në garën për titull të kampionit në Spanjë.

“Grushti i fortë nuk është në natyrën time, askush nuk e ka përdorur kurrë atë ndaj meje. Nuk jam në gjendje ta përdor kamxhikun, për këtë duhet të thirret një trajner tjetër. Jam mjaft i kënaqur këtu, jam i vetëdijshëm që ky është viti më i komplikuar. Ka shumë presion, por është gjithmonë kështu në këtë pikë të sezonit. Stresi është benzinë, nuk më shqetëson, përkundrazi më jep më shumë energji”, deklaroi fillimisht trajneri i Real Madridit.

Ai foli edhe për ndeshjen e sontme kundër Getafes.

“Shpresojmë ta gjejmë ekuilibrin, kemi hasur në vështirësi të madhe për ta gjetur atë”, përfundoi Ancelotti.

Real Madridi do të luajë sonte me Getafen në La Liga, në ndeshjen që do të fillojë në orën 21:30, ndërsa në fundjavë do të luajë me Barcelonën në finale të Copa del Rey.

(Kosova Sot Online)