
Guardiola: Kur vdesim, na harrojnë shpejt

Pep Guardiola ka konfirmuar për ESPN se, sapo të përfundojë aventura e tij me Manchester Cityn, ai do të marrë një pauzë nga futbolli. Trajneri spanjoll, i cili ka kontratë me “Citizens” deri në vitin 2027, ka pranuar se nuk është ende i sigurt nëse do të tërhiqet përfundimisht, por e di me bindje se do të ndalet për një periudhë:
“Pas skadimit të kontratës me City-n, do të ndalem. Këtë e di me siguri. Nuk e di nëse do të pensionohem përfundimisht, por do të marr një pushim.”
Guardiola nuk e fshehu se ky sezon ka qenë i vështirë për të:
“Ka qenë një vit i vështirë, kam bërë edhe zgjedhje të gabuara,” pranoi ai. “Por kam mësuar shumë. Nuk ka një arsye të vetme për rënien tonë, por një grumbull detajesh. Vështirësitë janë pjesë e lojës.”
I pyetur për mënyrën si do të kujtohet në të ardhmen, trajneri që ka lënë gjurmë të thella te Barcelona, Bayerni dhe Manchester City, tha:
“Nuk mund të jetojmë duke menduar si do të na kujtojnë të tjerët. Kur vdesim, na harrojnë shpejt. Por shpresoj që tifozët e Barçës, Bayernit dhe City-t ta kenë shijuar futbollin që kanë parë nga ekipet e mia.”
Guardiola shtoi se mësimet nuk vijnë vetëm nga humbjet:
“Njerëzit mendojnë se mëson më shumë nga humbjet se nga fitoret. Por unë mendoj se mësoj edhe nga fitoret.”
“E dija që do të vinte një moment rënieje, por kemi rënë në mënyrë të dhimbshme. Nuk prisnim të arrinim kaq larg, por nuk mund t’i fitojmë të gjitha. Ajo që kemi bërë në nëntë vite ka qenë e jashtëzakonshme, por tani duhet të ulemi, të mësojmë dhe të kuptojmë se çfarë duhet të prodhojmë në të ardhmen.”
Një epokë e lavdishme mund të jetë drejt fundit, por mesazhi i Guardiolës është i qartë: reflektim, pushim dhe ndoshta një rikthim i menduar më thellë.
(Kosova Sot Online)