Raphinha për raportin e ftohtë me Xavin

  • A.P /
  • 06 May 2025 - 13:50
Raphinha për raportin e ftohtë me Xavin

Raphinha është sot njëri prej futbollistëve më të mirë në botë.

Me trajnerin Hansi Flick ai e ka gjetur formën kulmore duke e udhëhequr Barcelonën drejt një sezoni mjaft të suksesshëm.

Mirëpo, kjo nuk po ndodhte me yllin brazilian edhe në kohën sa trajner aty ishte Xavi Hernandez.

Sulmuesi i krahut i ka përmendur vështirësitë nëpër të cilat kaloi me legjendën katalunase, i cili, sipas tij, nuk e kishte besimin e duhur në lojtarin.

Madje, Raphinha e ka treguar edhe një rast kur ishte zëvendësuar në ndeshjen me Manchester Unitedin ndonëse po e shfaqte njërën prej ndeshjeve më të mira në karrierë.

“Ndieja dhe mendoja se Xavi dhe stafi i tij nuk më besonin mjaftueshëm”, tha fillimisht futbollisti për “isabelapagliari”.

“Ndonjëherë, po luaja mirë dhe po bëja gjithçka për 60 minuta dhe ai më zëvendësonte. U mundova ta zgjidhja situatën, i kisha disa biseda me të, por nuk ndryshonte asgjë. Ai e kishte mënyrën e tij të të menduarit.”

“Ekziston një video në të cilën unë eksplodoj kur drejtohem drejt bankinës dhe e godas ulësen. Mendoj se ishte ndeshja kundër Manchester Unitedit, ku kisha bërë mjaft mirë. Pata shënuar gol dhe e kisha dhënë një asistim. Mendoj se ishim 2:2 dhe mua më zëvendësuan.”

“Unë e kisha krijuar një mundësi të pastër po ashtu. Ndihesha rehat, në formë dhe po luaja mjaft mirë. Dhe, zëvendësimi i parë isha unë. Kur e pash numrin tim në tabelë, nuk mund t’ju besoja syve.”


(Kosova Sot Online)