Valverde me fjalë të mëdha për Xabi Alonson

  • A.P /
  • 26 June 2025 - 11:21
Valverde me fjalë të mëdha për Xabi Alonson

Federico Valverde, njëri prej liderëve të Real Madridit ka folur për televizionin zyrtar të klubit në prag të ndeshjes me Salsburgun, e vlefshme për t’u kualifikuar në të tetën e finales së Botërorit të Klubeve.

Uruguaiani e ka nënvizuar rëndësinë e kësaj loje për rritjen kolektive dhe koordinimin e grupit me trajnerin e ri.

“Kjo ndeshje na shërben për t’ju përshtatur atyre që i kërkon trajneri. Duhet të qëndrojmë të bashkuar, që të njihemi më mirë. Kanë ardhur shokë të rinj në skuadër dhe do të jetë mjaft e rëndësishme të përgatitemi sa më mirë të jetë e mundshme për t’u përballur në një ndeshje të vështirë dhe të rëndësishme”, deklaroi fillimisht ai.

Pas fitores kundër Pachucas, aq më shumë me golin e shiritit të kapitenit në krahë, Valverde e ka shprehur krejt gëzimin e tij.

“Është një turne i ri, një eksperiencë e bukur. Pasioni i tifozëve të Real Madridit këtu është impresionues dhe na jep një forcë të madhe.”

Në aspektin fizik, mesfushori e ka pranuar se ka hasur në disa vështirësi që iu shfaqën nga klima verore amerikane.

“Është mjaft nxehtë, por është e njëjta për të gjithë. Kundër Salzburgut loja do të luhet natën dhe kjo do të na ndihmojë.”

Në fund, fjalë të rëndësishme dhe me peshë për trajnerin e ri, Xabi Alonso, i cili së fundmi e mori postin e Carlo Ancelottit.

“Xabi më jep besim, më kërkon të jem i qetë, më kërkon kontroll dhe të sulmoj e të gjej hapësira. Për mua është shumë e rëndësishme ta dëgjoj këtë qasje dhe mbështetje. Duhet ta vazhdoj të jap shembull për bashkëlojtarët e mi.”

Një fitore kundër  Salzburgut do t’ia siguronte Real Madridit vendin e parë në  grup dhe një përballje në të tetën e finales me Juventusin ose me Manchester Cityn. 

(Kosova Sot Online)