
Futbollisti 18-vjeçar humb jetën gjatë operacionit

Bota e futbollit argjentinas është goditur nga një humbje e rëndë, pasi mesfushori i ri Camilo Nuin ka ndërruar jetë në moshën 18-vjeçare gjatë një operacioni në gju.
Klubi i tij, San Telmo, konfirmoi me dhimbje lajmin, duke njoftuar se ndërhyrja në Clínica Espora në Buenos Aires kishte për qëllim trajtimin e meniskut dhe ligamentit të kryqëzuar – një procedurë e zakonshme në sportin profesionist.
Shkaqet e sakta të vdekjes nuk janë bërë ende publike, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar çfarë ndodhi gjatë ndërhyrjes. Klubi San Telmo e ka shpallur ditën e enjte ditë zie dhe ka mbyllur ambientet në nder të lojtarit.
Camilo ishte pjesë e ekipit të rezervave të San Telmos dhe kishte kaluar më parë në akademitë e Boca Juniors dhe Independiente, me mbi 80 paraqitje në kategoritë e të rinjve. Shoqata e Futbollit Argjentinas (AFA) ka reaguar gjithashtu me një mesazh ngushëllimi për familjen dhe të afërmit e Nuinit.
Një humbje e parakohshme që ka lënë pas një boshllëk të madh në komunitetin sportiv argjentinas.
(Kosova Sot Online)