De Bruyne tregon se pse e zgjodhi Napolin

  • A.P /
  • 19 July 2025 - 17:18
De Bruyne tregon se pse e zgjodhi Napolin

Kevin De Bruyne ka shpjeguar në detaje pse vendosi të bashkohet me Napolin si lojtar i lirë, pas një dekade në Premier League me Manchester Cityn, duke theksuar se Partenopeët i ofruan paketën më të mirë të mundshme si në aspektin sportiv, ashtu edhe në stilin e jetesës për familjen e tij.

De Bruyne foli për mediat gjatë konferencës së tij prezantuese të shtunën, pasi iu bashkua Napolit në qershor dhe tashmë ka përfunduar javën e tij të parë të përgatitjeve parasezonale.
Një nga temat më të diskutuara ishte edhe fakti që atij iu dha fanella ikonike me numrin 10 – që më parë ishte tërhequr në nder të legjendës Diego Maradona – si dhe vendimi për të pranuar ofertën nga klubi italian.

Besojhet se belgu kishte disa opsione përpara se të zgjidhte Napolin, përfshirë ekipe në Evropë, Arabinë Saudite dhe madje edhe në SHBA.
Megjithatë, ai zgjodhi të transferohej në Campania, rajon ku ai dhe bashkëshortja e tij janë martuar disa vite më parë.

“Sa i përket konkurrencës, është një vend shumë i mirë për të qenë,” tha De Bruyne para gazetarëve.
“Ata ishin kampionë vitin e kaluar, treguan se kanë shumë cilësi. Sigurisht që është diçka shumë ndryshe nga ajo që përjetova në Angli, por kjo është pikërisht ajo që e bën emocionuese. E ndjeva që kisha ende motivim dhe cilësi për të dhënë në këtë nivel. Napoli ishte një zgjedhje shumë, shumë e mirë. Dhe sigurisht, moti është krejt ndryshe nga ai në Angli.”

Ai shtoi: “Arsyeja kryesore ishte që doja të luaja në nivelin më të lartë të mundshëm. Kur drejtori sportiv erdhi në Angli dhe më tregoi projektin e tyre dhe gjithçka që po ndërtojnë, më emocionoi. E analizova me familjen dhe mendova se ky ishte vendi më i mirë për mua.”

De Bruyne shfrytëzoi gjithashtu momentin për të reflektuar mbi arritjet në Premier League, ku fitoi gjashtë tituj. Ai theksoi se gjithmonë do të jetë i mirëpritur në “Etihad”, por Napoli i ofroi një stil jetese të ri dhe një projekt të ri, ambicioz.

“Kam qenë për kaq shumë kohë në Premier League dhe në fund vendosa të largohem nga Anglia. Kam dhënë gjithçka dhe do të mbetem gjithmonë një lojtar i Cityt. Por ishte koha për një sfidë të re. Kur më treguan të gjithë projektin dhe faktin që mund të luaja në Itali, në një nivel të lartë, kjo më emocionoi.”

“Napoli tashmë është kampion, por po e forcon edhe më shumë ekipin. Janë blerë 4-5 lojtarë të rinj, po ndërtohet për të ardhmen. Edhe pse nuk jam më i riu, mendoj se mund të jap ende diçka. Shpresoj ta ndihmoj ekipin të rritet dhe njëkohësisht të mësoj nga stili i ri i lojës dhe nga kampionati.”

“Për herë të parë jam në një situatë ku isha lojtar i lirë. Gjithmonë kam pasur kontratë, gjithmonë gjithçka ishte e qartë për mua në verë. Sa më shumë kalonte sezoni pa ndonjë zhvillim, aq më shumë ndihesha i pasigurt. Por më pas erdhi Napoli dhe disa skuadra të tjera me projektet e tyre.”

“Diferencat mes projekteve ishin të mëdha – në mënyrën e jetesës, konkurrencën, gjithçka. Dhe projekti i Napolit, për mua, ishte opsioni më i mirë në të gjitha aspektet. Arsyeja kryesore ishte konkurrenca, por sigurisht edhe stili i jetesës, dielli – shumë ndryshe nga ajo që jam mësuar. Por unë jam lojtar futbolli, jam shumë konkurrues dhe besoj se ende mund të performoj në një nivel të lartë.”

“Për aq kohë sa jam ende aktiv si futbollist, dua të nxjerr më të mirën nga vetja. Kur të vijë dita që nuk mundem më, atëherë ndoshta do të marr një vendim tjetër. Por tani, në moshën 34-vjeçare, ende besoj se mund të jap shumë – dhe jam këtu për ta dëshmuar këtë.”

(Kosova Sot Online)