
Milan përgatit ofertë të re prej 22 milionësh

Milan nuk dorëzohet për Guéla Doué. Klubi italian po përgatit një ofertë të përmirësuar prej 22 milionë eurosh, përfshirë bonuse të lidhura me paraqitjet, për mbrojtësin e talentuar të Strasbourg, por duket se edhe kjo shifër nuk do të mjaftojë për të bindur klubin francez.
Pasi humbën garën për Marc Pubill, i cili tashmë ka arritur marrëveshje me Atletico Madrid në një transferim që kap vlerën e 16 milionë eurove + 4 milionë bonuse, drejtuesit e Milanit i kanë kthyer sytë plotësisht drejt Doué, duke e vendosur në krye të listës së dëshirave për krahun e djathtë të mbrojtjes.
Ofertë e re, por jo e mjaftueshme
Sipas burimeve të Calciomercato.com, kuqezinjtë do të dërgojnë shumë shpejt ofertën e re tek Strasbourg, pasi propozimi i parë prej 18 milionë eurosh u refuzua menjëherë nga klubi francez. Oferta e re është rreth 22 milionë euro me bonuse, por kjo mbetet ende larg kërkesës prej 30 milionë eurosh që kanë vendosur drejtuesit e Strasbourg.
Ndërkohë, Milan ka mbyllur një tjetër marrëveshje në mbrojtje – për krahun e majtë. Pervis Estupiñan, mbrojtës i majtë nga Brighton, pritet të mbërrijë nesër në Itali për të kryer vizitat mjekësore, pas një marrëveshjeje që arrin në 17 milionë euro + 2 milionë në formë bonusesh.
Milan, ende pa zgjidhje për krahun e djathtë
Me Estupiñan që mbulon një krah, drejtuesit e Milanit po përballen me vështirësi serioze për të gjetur një mbrojtës të djathtë cilësor, pas dështimit me Pubill. Guéla Doué shihet si profili i duhur për projektin e ri të kuqezinjve, por negociatat me Strasbourg pritet të jenë të vështira dhe të zgjatura.
Drejtuesit e Milanit do të shpresojnë që dëshira e vetë lojtarit për një hap të madh në karrierë të ndikojë në qëndrimin e Strasbourg dhe të afrojë palët drejt një marrëveshjeje.
(Kosova Sot Online)