Alonso merr një vendim

  • A.P /
  • 26 July 2025 - 13:06
Alonso merr një vendim

Real Madrid po fillon ta zhvendosë vëmendjen e merkatos së verës drejt largimeve, me trajnerin Xabi Alonso i kënaqur me opsionet aktuale që ka në skuadër.

Pas katër afrimeve të reja, numri i lojtarëve të skuadrës së parë ka arritur në 25, çka e bën të domosdoshme largimin e disa prej tyre për të liruar vend.

Një nga pozicionet ku pritet të ketë lëvizje është ai i mbrojtësit të majtë, dhe emri që më së shumti përflitet për largim është Ferland Mendy. Me Alvaro Carreras që ka mbërritur së fundmi dhe pritet të jetë titullar sezonin e ardhshëm, Real Madridi është mirë i mbuluar në atë krah, ndërsa Fran Garcia do të mbetet si alternativë rezervë.

Garcia kishte qenë i lidhur me një transferim te AC Milan, por tashmë kjo duket se nuk do të ndodhë. Paraqitjet e tij në Kupën e Botës për Klube kanë bindur trajnerin dhe drejtuesit që ai të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës për sezonin 2025/26. Diario AS raporton se klubi dhe Alonso kanë rënë dakord që Garcia të mos largohet, pasi konsiderohet si një lojtar i përshtatshëm për të konkurruar me Carreras, pa krijuar tension për rolin e titullarit.

Nga ana tjetër, Ferland Mendy, megjithëse firmosi një kontratë të re trevjeçare disa muaj më parë, tani është i tepërt në skuadër, për shkak të problemeve të vazhdueshme me dëmtimet gjatë vitit 2025. 30-vjeçari nuk pranon të jetë lojtar i dytë, dhe një rikthim në Francë është gjithnjë e më i mundshëm.

Sipas Mundo Deportivo, klubet franceze Marseille dhe Rennes janë të sigurta se mund ta marrin Mendy-n për një çmim “miqësor”, që pritet të jetë mes 10 dhe 15 milionë euro, megjithëse Real Madridi kërkon pak më shumë në këtë fazë. Mendy aktualisht është në proces rikuperimi nga dëmtimi.

Ndërkohë, pas dështimit për të transferuar Fran Garcian, AC Milan mund të përpiqet të rikthehet në garë, këtë herë për Ferland Mendy, si zëvendësues i Theo Hernandez, i cili është larguar nga klubi.


(Kosova Sot Online)