
Liverpooli goditet rëndë në garën për Alexander Isak

Liverpooli ka marrë një goditje të fortë në përpjekjet për të transferuar sulmuesin e Newcastle United, Alexander Isak, pasi zhvillimet e fundit nuk janë aspak premtuese për “The Reds”.
25-vjeçari suedez është përfolur intensivisht për një largim të mundshëm nga “St. James’ Park” gjatë javëve të fundit, me interesim serioz nga klube si Al Hilal dhe veçanërisht Liverpool. Mungesa e tij nga skuadra e Newcastle në turneun parasezonal në Azi shtoi spekulimet, fillimisht duke u justifikuar me një dëmtim në kofshë.
Megjithatë, raportime të mëvonshme sugjerojnë se Isak po shqyrton të ardhmen e tij dhe se mungesa nga grumbullimi ka lidhje me mundësinë e një transferimi.
Trajneri i Newcastle, Eddie Howe, u pyet për situatën e Isak në një konferencë për media në Seul dhe u shpreh:
“Ai është ende lojtari ynë. Ka kontratë me ne. Ne, në një masë, kontrollojmë të ardhmen e tij. Do të dëshiroja shumë që ai të qëndronte, por nuk e kam plotësisht në dorë këtë vendim. Nuk kemi marrë asnjë ofertë zyrtare për Alex nga ndonjë klub.”
Sipas Sky Sports, Newcastle e vlerëson Isak rreth 150 milionë paund, ndonëse më parë ishte raportuar se çmimi i kërkuar nga klubi i financuar nga PIF ishte rreth 120 milionë paund.
Të mërkurën në mbrëmje, Daily Mail raportoi se shpresat e Isak për një transferim te Liverpool janë zbehur ndjeshëm. Arsyeja kryesore: Newcastle po frikësohet se mund të humbasë objektivin kryesor për zëvendësimin e tij, Benjamin Sesko.
Ndërkohë që Newcastle mbetet në garë për sulmuesin e RB Leipzig dhe përfaqësuesin e Sllovenisë, frika është se Sesko mund të zgjedhë Manchester United – një tjetër klub që po e ndjek nga afër 22-vjeçarin.
(Kosova Sot Online)