
Milani bëhet edhe me mbrojtës të djathtë

Raportimet nga Italia njoftojnë se Milani ka arritur marrëveshje me Young Boys për ta transferuar mbrojtësin e djathtë, Zachary Athekame.
“Rossoneri” ishin në kërkim të një mbrojtësi të krahut pasi vendosën që të mos e mbajnë të huazuarin Kyle Walker dhe pasi e shitën Emerson Royalin në Flamengo gjatë kësaj vere.
“Gjuetia” për një mbrojtës të ri i dërgoi Kuqezinjtë në Zvicër, më saktësisht në Bern për përfaqësuesin e ri të “Helvetikëve”, Athekame.
Sipas gazetarit të “Calciomercato”, Daniele Longo, Milani ka arritur marrëveshje me Young Boys për një paketë totale prej 9 milionë eurosh.
Kjo ofertë erdhi pasi ajo e parë, prej 7 milionë eurosh, u refuzua nga pala shitëse në javën e kaluar.
Raportohet se marrëveshja për Athekame arriti një ditë pasi Milani i siguroi shërbimet e shqiptarit Ardon Jashari, i cili do të nënshkruajë sot me shtatë herë kampionin evropian.
Ata iu shtuan afatit të ngjeshur veror të Milanit, i cili në dispozicion të trajnerit të rikthyer, Massimiliano Allegri e shtoi edhe fituesin e Topit të Artë, Luka Modric, por edhe mesfushorin italian, Samuele Ricci, mbrojtësin e majtë, Pervin Estupinan dhe portierin Pietro Terracciano.
(Kosova Sot Online)