
Laporta shpreson në një përballje me PSG-në

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta do ta mirëpriste një përballje të ekipit të tij me kampionin evropian, Paris Saint-Germain.
Kreu i gjigantit katalunas është i bindur se ky do të ishte një ballafaqim direkt mes dy ekipeve që e bëjnë lojën më të bukur në futbollin evropian.
Barça shihej si njëri prej favoritëve për ta fituar Championsin në edicionin e fundit, por u eliminua ndërkohë, ndërsa parisienët shkuan deri në fund për ta fituar këtë trofe për herë të parë në histori të tyre.
E në edicionin 2025/26 Laporta shpreson që “Blaugrana” ta kenë së paku një përballje me ekipin nga “Parku i Princave” për të parë një futboll total.
“Ne shpresojmë që të përballemi me PSG-në në këtë sezon dhe që ta shohim se kush është më i forti”, thotë presidenti i Barcelonën për “CNN”.
“Të gjithë ata që e pëlqejnë futbollin në sezonin e fundit thanë se Barça dhe Paris Saint-Germaini ishin ekipet që e ofronin futbollin më të bukur në botë”, shtoi Laporta.
Barcelona u shpall kampione e Spanjës në edicionin e fundit, ndërsa në atë të ri synon të jetë e suksesshme edhe në garat evropiane.
(Kosova Sot Online)