Lille e merr një vendim për Zhegrovën

  • A.P /
  • 11 August 2025 - 13:05
Lille e merr një vendim për Zhegrovën

Edon Zhegrova mund të mbetet në Lille përkundër dëshirës së tij për t’u larguar.

Mediat franceze raportojnë se klubi francez e ka marrë një vendim radikal për yllin kosovar.

Në fakt, 26-vjeçari do t’i bashkohet sot ekipit në stërvitje pasi qëndroi për një kohë i distancuar pasi nuk iu lejua të ushtronte me skuadrën franceze.

Ai po stërvitej individualisht dhe me ekipin e rezervistëve.

Mirëpo, mediumi i njohur francez “L’Equipe” raporton se përfaqësuesi kosovar është rikthyer në ekipin e parë dhe ka mundësi reale që të vazhdojë të luajë me ekipin e kuq edhe në sezonin e ardhshëm, përcjell “Gazeta Express”.

Gjatë muajve të fundit u spekulua se ish-futbollisti i Baselit do të transferohej në Itali, ku e donte më së shumti Napoli, ndërsa më pas në garë thuhet se ishte futur edhe Olympique Marseille, ndonëse nuk kishin nisur asnjëherë bisedimet mes klubeve.

Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur të premten që shkoi, presidenti i klubit, Olivier Letang, tha se nuk ishin pjekur ende kushtet që lojtari të largohej, duke mos e përjashtuar mundësinë që Edoni të qëndrojë në Lille edhe në edicionin 2025/26.

Pra, Zhegrova ka mundësi ta respektojë kontratën deri në fund, respektivisht deri në fund të sezonit të ri.

Anësori ofanziv ishte transferuar në Lille në janar të vitit 2022 nga Baseli për 7 milionë euro.

Zhegrova i ka zhvilluar 80 ndeshje në Ligue 1, ndërsa i ka realizuar 15 gola dhe i ka bërë 12 asistime.

Futbollisti i krahut të djathtë nuk ka luajtur që nga dhjetori i vitit të kaluar shkaku i një lëndimi të pësuar, ndërsa kjo ka bërë edhe që interesimi i klubeve të zbehet.

Ai është kritikuar për personalitetin jo të qëndrueshëm dhe është akuzuar edhe për papjekuri nga analistët francezë të futbollit. 


(Kosova Sot Online)