Rodrygo drejt largimit nga Reali

  • A.P /
  • 11 August 2025 - 14:44
Rodrygo drejt largimit nga Reali

Real Madridi nuk ka kryer punë ende me “pazarin e verës”.

“Telenovela” Rodrygo po vazhdon me episodet e saj.

Sulmuesi brazilian nuk bën pjesë në planet e trajnerit Xabi Alonso pasi konkurrenca në sulm është e fortë dhe ai nuk iu përshtatet skemave dhe taktikave të trajnerit të ri.

Prandaj, kjo situatë mund ta shtyjë 24 vjeçarin që ta kërkojë një aventurë të re larg “Santiago Bernabeut”.

Në Evropë ka interesim për përfaqësuesin brazilian, mbi të gjitha në Premierligë.

Sipas portalit “Caughtoffside”, Liverpooli po e ndjek nga afër futbollistin dhe e konsideron atë si alternativën e parë nëse nuk arrin ta tranasferojë sulmuesin Alexander Isak nga Newcastle, përcjell “Gazeta Express”.

Ish-futbollisti i Santosit, i cili i realizoi 14 gola dhe bëri 11 asistime në sezonin e fundit, ka përfunduar edhe në shënjestër të Arsenalit, i cili e sheh atë si Plan B nëse nuk arrin ta transferojë sulmuesin e Crystal Palacet, Eberechi Eze.

Gjithashtu, “Gunners” do të duhej ta shisnin një futbollist të krahut të majtë për t’i bërë vend Rodrygos.

Tottenhami, i cili ka mbetur pa Son Heung-min, i cili u transferua në ligën MLS, i ka nisur bisedimet me përfaqësuesit e Rodrygos për ta shikuar disponimin e lojtarit.

Gjithashtu, edhe Manchester City e mban gjallë admirimin e tij për Rodrygon: Pep Guardiola do të donte ta bënte realitet një transferim i cili i kishte shpëtuar nga duar disa vite më parë.

Në teori është përmendur një shkëmbim me Rodrin, një opsion megjithatë që nuk i entuziazmon “Citizens”.

Real Madridi, nga ana e tij, nuk ia mbyll dyert shitjes së lojtarit.

Futbollistin ofanziv e vlerëson mes 90 e 100 milionë euro, me ndjenjën  që një ofertë e majme dhe e kënaqshme do të pranohej.

Nga Arabia saudite, Al Nassr është shprehur i gatshëm për ta plotësuar këtë kërkesë ekonomike, por Rodrygo preferon të mbetet në Evropë.

Manchester United e Chelsea mbesin të interesuar po ashtu, por për momentin nuk e shohin brazilianin si prioritet të tyre.


(Kosova Sot Online)